Kreu i Kuvendit tha se në koordinimet e zakonshme nuk është diskutuar akoma se çfarë do të ndodhë në rast se Gjykata Kushtetuese kthen për rishikim në Kuvend nenet kontestuese të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Gjithsesi ai tha se do të pritet vendimi i gjykatës. Gashi shtoi se nenet që kontestohen, nuk janë zbatuar asnjëherë në praktikë kështu që ky nuk mund të shihet si shkurtim i të drejtave.
“Nuk e kemi diskutuar sepse është çështje e Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se po paragjykojmë. Duhet të presim të shohim se çfarë do të ndërmarrë gjykata Kushtetuese dhe pastaj, ju e dini se vendimet e gjykatës janë përfundimtare, në një situatë të re eventuale për të cilën unë shpresoj se s’ka nevojë, nëse ndodh, do të diskutojmë. Sa i përket 20%shit, ju e dini se të gjithë deputetët dhe partitë shqiptare e kanë qëndrimin pak a shumë të unifikuar rreth formulimit se si gjuha shqipe formulohet në kushtetutë. Ky është një formulim që nuk na nderon si shqiptar. Normalisht se ne do të tentojmë që të ndryshohet por është çështje e marrëveshjes politike, se a ka sens politik për momentin nga të gjitha palët”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.