Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) êshtë thellësht i shqetêsuar për zhvillimet që minojnë parimet e barazisë, bashkëjetesës dhe integrimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sot, fatkeqësisht, po përballemi me përpjekje sistematike për të kthyer pas dekada të tëra progresi, duke e kthyer historinë mbrapsht mbi vlerat e drejtësisë dhe përfshirjes që kanë ndërtuar këtë vend.
Nga një rrugëtim prej zeros, shqiptarët arritën të bëjnë histori duke zgjedhur Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ky nuk ishte thjesht një triumf për Shqiptarët por një fitore për idenë e barazisë mes popujve si dhe se çdo qytetar, pavarësisht prejardhjes etnike, meriton mundësi të barabarta. Sot, këto arritje janë në rrezik të shkatërrimit.
Largimi sistematik i shqiptarëve nga pozitat kyçe dhe zëvendësimi i tyre në role më të ulëta është një akt i qëllimshëm margjinalizimi që shkel parimet e barazisë dhe meritokracisë.
Sipërmarrësit shqiptarë po përballen me pengesa të padrejta që pengojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë barriera për pjesëmarrje në rritjen e vendit.
Paralajmërimi për rishikimin e Ligjit për Gjuhët është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje që vendosi themelet për paqe dhe harmoni ndëretnike në shoqërinë tonë.
Shqiptarët përballen me një trajtim denigrues përmes rikthimit të konceptit jugosllav të mohimit të identifikimit etnik, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në të njëjtën kohë, incidentet e përplasjes ndëretnike, të nxitura nga urrejtja dhe paragjykimet, po e kthejnë vendin pas në kohë urrejtjeje, në vend që të promovojnë dialog dhe mirëkuptim.
Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të qëndrojë i heshtur përballë këtyre zhvillimeve.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, pa dallim etnie, të bashkohen kundër përpjekjeve për të degraduar vlerat e barazisë, tolerancës dhe harmonisë.
BDI rikonfirmon angazhimin për të përdorur të gjitha mekanizmat demokratikë, ligjorë dhe ndërkombëtarë për të mbrojtur të drejtat e fituara me shumë sakrifica, për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të garantuar që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të jetë një model i bashkëjetesës së suksesshme multietnike.
Vendi ynë nuk mund të lejojë kthimin në një epokë ndarjeje, diskriminimi dhe urrejtje.
Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë, partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile, të ndërmarrin veprime urgjente për të mbrojtur stabilitetin dhe të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë së Veriut.
Barazia nuk është privilegj—është e drejtë.
BDI do të mbetet e palëkundur në mbrojtjen e kësaj të drejte sot e nesër si garanci e fuqishme për një të ardhme më të ndritur” – thuhet në kumtesën e BDI-së.