Të punësuar në Drejtorinë për menaxhimin e librave amë dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë lëshuar dhe dorëzuar certifikata lindjeje për personat që nuk janë prezent në vend, përkatësisht kanë pranuar kërkesa për shtetësi për persona që nuk janë të pranishëm personalisht, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), transmeton Portalb.mk.
SPB Veles ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Veles kundër A. B. (33) dhe 30-vjeçares A. S., të dy nga fshati Melnicë, Komuna Çashkë, se kanë kryer vepër penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.
“A.B., i punësuar në Drejtorinë për menaxhimin e librave amë, ka lëshuar certifikata indjeje dhe ka paraqitur kërkesa për certifikata për personat që nuk janë të pranishëm në vend, përkatësisht për personat shtetas të Republikës së Turqisë, gjë që bie ndesh me Ligjin për librat amë. Ai në një periudhë tre vjeçare ka ndërmjetësuar për dorëzimin e dokumentacionit për personat që kanë dashur të marrin nënshtetësinë maqedonase dhe kanë përfituar përfitime pasurore të kundërligjshme nga 400 deri në 800 euro. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i shtetit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Prej aty thonë se A. S., nga ana tjetër, si punonjëse në pozicionin e këshilltares për shtetësi në Ministrinë e Brendshme, ka marrë dokumente, si aplikime për pranim për shtetësi për personat që kërkonin shtetësi nga origjina, pa qenë prezent dhe pa dorëzuar personalisht kërkesë , që është në kundërshtim me Ligjin për Shtetësinë.
“Ajo ka marrë të gjithë dokumentacionin, i cili paraprakisht i është dorëzuar të pandehurit të parë, i cili ia ka dorëzuar asaj”, njofton policia