Irani, i cili ka pasur marrëdhënie të tensionuara me SHBA për dekada, njoftoi se shpreson se zgjedhja e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do t’i lejojë Uashingtonit “të rishqyrtojë qasjet e gabuara të së kaluarës” .
“Ne kemi përvojë shumë të hidhur nga politikat dhe qasjet e qeverive të ndryshme amerikane,” vuri në dukje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmail Baghai, i cituar nga agjencia zyrtare iraniane e lajmeve Irna.
Irani dhe SHBA, dikur aleatë të ngushtë, kanë pasur marrëdhënie shumë të tensionuara që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 që përmbysi dinastinë Pahlavi të mbështetur nga Uashingtoni. Të dy vendet ndërprenë marrëdhëniet diplomatike në vitin 1980 pas sulmit disa muaj më parë ndaj ambasadës amerikane në Teheran, e cila u akuzua si një “fole spiunësh”.
Gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump kishte marrëdhënie shumë të tensionuara me Teheranin. Në maj 2018, ai tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshja për programin bërthamor të Teheranit dhe rivendosi sanksione të rënda ndaj Iranit, pavarësisht një pakti të bërë tre vjet më parë me fuqitë e mëdha.
Irani ka braktisur gradualisht angazhimet e tij sipas asaj marrëveshjeje për programin e tij bërthamor. Mandati i parë i Donald Trump u shënua gjithashtu nga vendimi i SHBA në janar 2020 për të nisur një sulm me dron në Irak që vrau gjeneralin e fuqishëm të Iranit Qassem Soleimani, i cili ishte arkitekti i strategjisë së ndikimit të vendit të tij në rajon.
Uashingtoni dhe Teherani më pas dukej se ishin në prag të konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak. Mediat iraniane aktualisht po merren gjerësisht me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
“SHBA është Satani i madh, pavarësisht se çfarë presidenti kanë”, shkruan gazeta “Kaihan”./vizionplus.tv