Vetëm pas një muaji do të shihen rezultatet e para të realizimit të projekteve tashmë të miratuara nga thirrja publike e Qeverisë për mbështetje të pushtetit lokal. Zv kryeministri i parë Izet Mexhiti tha se komunat shqiptare fitojnë afër 30 milionë euro me rreth 100 projekte të fushave të ndryshme.
“Kjo tregon dallimin apo ndryshimin që nuk është vetëm të quajmë veten që jemi për vlera evropiane por me investime dhe punë konkrete ti përafrohemi standardeve evropiane duke rregullu diku infrastrukturën nëntokësore, diku shkollat, diku çerdhet, diku turizmin dhe shumë segmente. Realisht, kjo për një muaj do të shihet në teren gjithandej në Maqedoni punë konkrete, në çdo komunë, në çdo vendbanim”, tha Izet Mexhiti, zv kryeministër i parë shqiptar.
Sipas Mexhitit Qeveria ka trajtim të njëjtë ndaj të gjitha komunave. Madje, sipas tij disa nga komunat të drejtuara nga BDI shprehen të befasuar nga projektet e miratuara nga Qeveria.
“Shqiptarët po marrin shumë hise në buxhetin e Republikës së Maqedonisë, po marrin diku afër 30 milionë euro që në këtë gjysmë viti edhe atë marrin edhe komunat që nuk janë të VLEN-it por janë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Bile nëse i ul ato sinqerisht dhe bisedon pa kamera thonë se ma mirë na ka ra kur BDI-ja është opozitë se sa BDI-ja kur ishte në Qeveri, po habitemi, nuk kemi aq projekte sa Qeveria ofron mjete për realizim të projekteve konkrete për qytetarët. Është hera e parë që një Qeveri nuk e bën diferencimin siç ato e bënën në të kaluarën kur Çairin dhe Tetovën i lanë të vetmet komuna prej 80 komunave dhe nuk morën asnjë denarë nga buxheti i Maqedonisë”, deklaroi Izet Mexhiti, zv kryeministër i parë shqiptar.
Fondet që ju ndahen komunave janë faza e parë e 250 milionë eurove e dedikuara për investimeve kapitale. Këto fonde janë siguruar nga kredia hungareze. Pjesa tjetër e kredisë duhet të dedikohet për sektorin e biznesit. /alsat.mk