5 C
Tetovo
E martë, 3 Dhjetor, 2024
BallinaTeknologjiVOA / “Monopol i paligjshëm për kërkimin në internet”- SHBA shqyrton mundësinë...

VOA / “Monopol i paligjshëm për kërkimin në internet”- SHBA shqyrton mundësinë e ndarjes së kompanisë Google

Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se mund t’i kërkojnë një gjyqtari që të detyrojë kompanisë mëmë të firmës Google, ‘Alphabet’ që të shesë pjesë të bizneseve të saj, si programin e lundrimit në internet ‘Chrome’ dhe sistemin operues ‘Android’, që sipas tyre përbëjnë një monopol të paligjshëm për kërkimin në internet.

Në një vendim historik, një gjykatës, arriti në muajin gusht në përfundimin se kompania Google, e cila përpunon 90 për qind të kërkimeve në internet në SHBA, kishte ndërtuar një monopol të paligjshëm.

Masat juridike të propozuara nga Departamenti i Drejtësisë mund të ndryshojnë mënyrën se si amerikanët gjejnë informacion në internet, ndërkohë që të ardhurat e rrjetit Google pritet të tkurren dhe konkurentëve të tjerë t’u jepet mundësia për t’u zgjeruar.

“Trajtimi i plotë i këtyre dëmeve kërkon jo vetëm që rrjeti Google të mos ketë kontroll në kërkimin në internet sot, por edhe që të sigurohemi se kjo nuk do të ndodhë as në të ardhmen”, tha Departamenti i Drejtësisë.

Rregullat e propozuara synojnë gjithashtu që të pengojnë zgjerimin e dominimit të rrjetit Google tek biznesi në rritje i inteligjencës artificiale, thanë prokurorët.

Në vitin 2021, kompania Google u pagoi 26.3 miliardë dollarë kompanive të tjera, duke përfshirë Apple dhe prodhuesve të tjerë, në mënyrë që motori i saj i kërkimit të mbetet programi i paracaktuar në telefonat inteligjentë dhe në programet e lundrimit në internet, duke ruajtur kështu pozita të forta në treg.

Kompania Google, e cila planifikon të apelojë, tha në një postim se propozimet ishin “radikale” dhe tha se ato “shkojnë shumë përtej çështjeve specifike ligjore të rastit në fjalë”.

Kompania Google pohon se përdoruesit e kanë zgjedhur rrjetin e saj të lundrimit për shkak të cilësisë duke shtuar se përballet me konkurrencë të fortë nga Amazoni dhe faqe të tjera, dhe se përdoruesit mund të zgjedhin alternativa të tjera si motorë të paracaktuar kërkimi.

Alphabet, kompania e katërt më e madhe në botë me një vlerë tregu prej mbi 2 trilionë dollarësh, është nën trysni në rritje nga konkurrentët dhe autoritetet antitrust.

Një gjykatës amerikan vendosi të hënën, në një çështje tjetër, se Google duhet të bëjë të mundur që dyqani digjital ‘Play’ të jetë më i hapur ndaj konkurentëve dhe të lejojë që aplikacionet e programit Androit të blihen edhe nga burime të tjera rivale.

Si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar shtrirjen e dominimit të Google tek Inteligjenca Artificale, Departamenti i Drejtësisë tha se mund t’i kërkojë të vërë në dispozicion për rivalët, të dhënat dhe modelet që përdor për kërkimin në Google dhe veçoritë për kërkimin që ndihmohet nga inteligjenca artificiale.

Departamenti i Drejtësisë pritet të paraqesë një propozim më të detajuar në gjykatë deri më 20 nëntor. Google do të ketë një shans të propozojë masat e veta më 20 dhjetor.

Në muajin gusht, Gjykatësi i qarkut të Uashingtonit, Amit Mehta, arriti në përfundimin se kompania Google shkeli ligjin kur mbajti monopolin mbi kërkimet në internet, duke shtypur konkurrencën dhe tkurrur inovacionin.

Shtetet e Bashkuara kanë paditur gjithashtu platformën Meta Amazon.com dhe Apple me pretendimin për monopol të paligjshëm./voa

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments