Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do të mbajë takim virtual me liderët e G7-s më vonë të mërkurën (sot) për t’i diskutuar krizat në Lindjen e Mesme, ka thënë zyra e saj.
Italia do të vazhdojë të përpiqet për zgjidhje diplomatike, duke përfshirë edhe përmes aftësive të saj si kryesuese e G7-s. Unë kam thirrur për takim këtë pasdite liderët e shteteve të grupit”, citohet t’i ketë thënë Meloni kabinetit të saj.
Italia mban presidencën e radhës së G7-s – grupi i demokracive kryesore perëndimore, i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia.
Meloni i ka thënë ministrave se ka “shqetësime të thella” për zhvillimet e fundit, duke përfshirë sulmin raketor të Iranit kundër Izraelit dhe jostabilitetin në Liban, ka thënë zyra e saj.
“Qëllimi është stabilizimi i situatës në kufirin izraelito-libanez përmes zbatimit të plotë të Rezolutës 1701”, ka thënë ajo, duke iu referuar rezolutës së OKB-së që e ka ndaluar luftën mes Izraelit dhe Hezbollahut në vitit 2006 në Libanin jugor. Në këtë kuadër, Italia i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ta shqyrtojë forcimin e mandatit të misionit UNIFIL, në mënyrë që të garantohet siguria në kufirin Izrael-Liban”, ka thënë ajo.
Italia është kontribuuese e madhe në forcën paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL). Mediat italiane raportuan të mërkurën se qeveria po konsideronte tërheqjen e forcave të saj nga zona, duke pasur parasysh dhunën e fundit në kufi.