Drejtoresha për Sistem dhe Politika Shëndetësore në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me vërejtje ndaj sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut.
Ajo thotë se çdokush duhet të ketë qasje në mbrojtje shëndetësore pa përjetuar vështirësi financiare, transmeton klankosova.tv.
Sipas raportit të fundit të OBSH-së shpenzimet shëndetësore ende janë shqetësuese për qytetarët, sidomos për ata që marrin asistencë sociale.
”Njëri nga raportet tona më të fundit për mbrojtje financiare e bërë nga ana e zyrës sonë në Barcelonë, tregon se harxhimet katastrofale shëndetësore ende janë shqetësim I thellë, veçanërisht për familjet e varfra. Në vitin 2018, 18 për qind nga xhepat e qytetarëve kanë qenë për barna, ndërsa këto pagesa përbëjnë 42 për qind nga harxhimet totale shëndetësore që është shumë larg nga përqindja e BE-së prej 22 për qind”, tha Natasha Azzopardi Muscat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari paralajmëroi ulje të përqindjes e shpenzimeve të qytetarëve për barna. Ndërkohë ai tha se që nga dita e hënë qytetarët do të mund t’i gjejnë barnat nga lista pozitive nëpër farmaci.
”Nga 16 shtatori pacientët mundet qe 9 barnat e reja ti gjejnë nëpër barnatore pa pagesë, pra që janë të vendosura si shtesë, pra, do hyjë në fuqi që nga e hëna. Ne jemi duke përgatitur platformë së bashku me OBSH-në, e cila do të sigurojë transparencë në të gjithë procesin, gjatë zgjerimit të listës në të ardhmen”, deklaroi Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Përfaqësuesi i OBSH-së në Maqedoninë e Veriut tha se duhet të krijohet sistem institucional për t’iu dalë në ndihmë nevojave të qytetarëve.
Sipas Alsat.mk, këto deklarata u bënë gjatë diskutimit për sfidat dhe mundësitë në procesin e zgjerimit të listës së barnave që janë përgjegjësi e Fondit Shëndetësor.