Policia e Kosovës ka ftuar për intervistim pesë serbë përfaqësues të nstitucioneve paralele në veri të vendit të cilat u mbyllën nga institucionet e Kosovës të premtën.
Personat në fjalë dyshohen për falsifikim të dokumenteve.
Këtë për mediat e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Pesë jemi të interesuar t’i intervistojmë, katër prej tyre ua kemi dorëzuar ftesat, ndërsa njëri nuk ka qenë në Kosovë”, ka thënë Elshani
Të premten , ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi ka bërë të ditur janë mbyllur komuna paralele e Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, ajo e Zveçanit, komuna paralele e Zubin Potokut dhe komuna paralele e Leposaviqit.
“Këto pesë sot i bashkohen shtatë komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash. Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook.
Derisa bashkësia ndërkombëtare kanë reaguar për mbylljen e këtyre institucioneve duke thënë se e se veprimet e Qeverisë së Kosovës janë të pakoordinuara dhe mund të rrisin rrezikun për përshkallëzim./21Media