Tifozët e Klubit të futbollit Shkëndija, të dielën nga Tetova udhëtuan për në Strumicë për të ndjek ekipin e tyre që përballë kishte Breran. Gjithçka kishte shkuar mirë, por në momentin kur ata shpalosin flamurin kombëtar shqiptar, policia vendosi që ata t’i largojë nga tribuna.
“Pas udhëtimit për në Strumicë 200km, në minutën e 30’ të ndeshjes Brera vs Shkëndija, vjen urdhri që të lëshojmë tribunat, për shkak se shfaqëm në hekurat e tribunës flamurin kombëtar, idiotizëm dhe shembull që tregon se shqiptarët konsiderohen qytetarë të rendit të dytë në shtetin Sllav”, thonë Ballistët.
Nga klubi tetovar, njoftojnë se largimi i tifozëve nga tribuna nuk ka qenë kërkesë e delegatit zyrtar të ndeshjes, por këtë vendim e ka marr vet policia.
“Gëzimin e plotë të kuqezinjve nuk e lejuan forcat e rendit (policia), të cilët kërkuan largimin e flamurit kombëtar shqiptar nga tribuna ku ishin vendosur tifozët tanë, pas çka “Ballistët” vendosën të braktisin stadiumin pas vetëm 30-të minutave lojë. Protesta jonë nuk dha rezultat pasi delegati i ndeshjes nuk kërkoi në asnjë moment heqjen e flamurit dhe e gjitha ishte në regji të Sektorit për Punë të Brendshme të Strumicës”, tha KF Shkondija.
Për këtë ngjarje u pyet edhe kryeministri.
“Në Shkup ka një praktikë të mirë, që tifo grupi mysafirë të mos shkoj në terrenin kundërshtar. Nuk shoh arsye pse të mos jetë ashtu në të gjithë Maqedoninë. Të mos ketë tifozë mysafirë në stadium dhe në këtë mënyrë mund t’i shmangim këto ngjarje”, deklaroi kryministri Hristijan Mickoski.
Ndryshe, nga burime jozyrtare mësohet se policia së pari ka kërkuar që Ballistët ta largojnë flamurin ose ta braktisin tribunën. Tifozët tetovar megjithatë vendosën ta braktisin tribunën. Në këtë ndeshje Shkëndija shënoi fitore 2-0.