Puna për zgjerimin e autostradës nis me përfundimin e sezonit veror në 2 lotet e para.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 298.8 milionë euro. Puna për zgjerimin e autostradës nis me përfundimin e sezonit veror në 2 lotet e para, kthesa Kamzës-Vorë dhe Vorë-Sukth, për të cilët janë shpallur edhe fituesit.
Por kjo nuk do jetë rruga e vetme e re që do të zgjerohet, pasi për vitin 2025-2027 do ketë të tjera projekte të mëdha. Konkretisht rruga e re Tiranë-Ndroq-Plepa, që mund të shërbej si alternative nëse autostrada Tiranë-Durrës bëhet me pagesë, ka një faturë të dyfishuar në raport me planifikimin fillestar. Kostoja për ndërtimin e saj është rritur në 87 milionë euro, nga 39.8 milionë euro që ishte.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me projektin për Baypassin e Elbasanit që është futur në listën e prioriteteve të matururara. Kostoja fillestare ishte planifikuar në 97.3 milionë euro, ndërsa tashmë ka arritur në 240 milionë euro.
Një tjetër vepër me faturë të kripur financiare është Korridori VIII. Edhe pse nuk specifikohet burimi i financimit nëse do të jetë tërësisht financim i shtetit apo me ndihmë të ndërkombëtarëve, fatura për ndërtimin e aksit Rrugor Elbasan-Lekaj është parashikuar të jetë 360 milionë euro.
Nga lista e prioriteteve të maturuara është hequr Aeroporti i Sarandës pasi ka ndryshuar vendndodhja për në Gjirokastër dhe është shtuar projekti i ri i Baypassit të Sarandës me vlerë 34 milionë euro.
Lista fillestare e prioriteteve ka ndryshuar jo vetëm për vlerat por edhe për projektet që janë shtuar ose hequr. Në dokumentin e miratuar 5 muaj më parë projekt i maturuar, pra që ishte në fazë të avancuar ishte edhe hidrocentrali i Skavicës, por me ndryshimet e bëra Skavica me vlerë investimi 800 milionë euro ka kaluar në listën e projekteve pjesërisht e maturuar.
Në dokumentin e ri janë 51 projektet prioritare të maturuara, të cilat konsiderohen në fazë të avancuar pasi ka përfunduar studimi i fizibilitetit apo studime të tjera të projektit, vlera e të cilave kapërcen shifrën e 4.5 miliardë eurove./ TCH