Pacientja e ndjerë, për të cilën LSDM-ja informoi se nuk është pranuar as në KARIL e as në Klinikën Infektive, ka pasur leukemi akute, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai siguron se pacientja është trajtuar në Klinikën e Hematologjisë me të gjitha protokollet dhe rregulloret, por edhe se vdekja nuk ka ndodhur si pasojë e gabimit të mjekëve.
“Ajo ishte diku 48-47 vjeç dhe ndërkohë ishte e infektuar edhe me Covid dhe ne pothuajse të gjithë e kemi kaluar periudhën e pandemisë. Ndërkohë për pacienten është thirrur anesteziologu dhe infeksionisti, janë bërë sugjerime për terapi, por duhet të dimë se nga çka ka vdekur. E di që ajo ka marrë sërish terapi, që është një periudhë e vështirë për pacientët pas leukemisë akute”, thotë Taravari.
Taravari hodhi poshtë akuzat se pacientja ka vdekur për shkak se nuk është pranuar në Klinikën Infektive ku është duke u rinovuar urgjenca, duke sqaruar se në të gjitha klinikat ka respiratorë dhe se duhet pritur raportet që ka kërkuar nga klinikat e Hematologjisë dhe Infektive.
“Ajo ishte e hospitalizuar me sa di unë dhe nuk besoj se arsyeja ka qenë se nuk ka pasur respirator”, tha Taravari.
Dje, por edhe sot, LSDM-ja opozitare informoi për rastin dhe kërkoi hetim dhe përgjegjësi për vdekjen e pacientes, pasi siç thanë ata kanë një pasqyrë të saktë të gjithë rastit dhe do ta paraqesin në opinion nëse autoritetet përpiqen ta fshehin rastin.