10.3 C
Tetovo
E diel, 17 Nëntor, 2024
BallinaLajmeViti i ri shkollor sërish në ish-fabrikën e improvizuar në klasa për gjimnazistët...

Viti i ri shkollor sërish në ish-fabrikën e improvizuar në klasa për gjimnazistët e “Sami Frashërit” në Kumanovë

Edhe ky vit i ri shkollor do të fillojë me problemet e vjetra për nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë. Ata edhe këtë vit mësimin do ta fillojnë në kushte të vështira, përfshirë mungesën e hapësirave adekuate, mjeteve shkollore dhe sallës së sportit. Ata me vite të tëra kanë dëgjuar vetëm premtime për objekt të ri shkollor, por deri më tani kjo nuk është bërë. Ndërtimi i objektit të ri ka filluar, por i njëjti pritet të jetë gati vitin e ardhshëm. shkruan Portalb.mk.

“Gjatë dimrit kemi ftohtë”

Nxënësit e “Sami Frashërit” shprehen se asnjëherë nuk kanë pasur kushte elementare në shkollë.

“Përballemi me kushte të këqija në shkollë”, kështu tha për Portalb.mk një nxënëse e vitit të tretë.

Sipas saj mungesat fillojnë nga mjetet e punës dhe të gjitha kabinetet në lëndën e fizikës, kimisë, matematikes, dhe të informatikës.

“Në mungesë të sallave sportive ose zyra te ndryshme në të cilën ne të rinjtë kemi nevojë të zhvillojmë aktivitete të ndryshme të cilat kanë lidhje me zhvillimin dhe emancipimin tonë për të ardhmen. Duke i listuar gjërat më bazike të mundshme nuk duhet lënë pa përmendur edhe oborri i shkollës i cili nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë, dhe nuk ndahet vend parkimi i veturave nga kalimi i këmbësorëve”, tha nxënësja.

Kushtet jo të mira për mbarëvajtjen e procesit mësimor i përmendi edhe një nxënëse tjetër.

“Në ambientin ku qëndrojmë ka mungesë të kushteve p.sh. gjatë dimrit nxënësit që ishin të ulur nga ana e dritareve kishin më së shumti ftohtë për shkak te mos izolimit te mirë të shkollës. Kanë munguar kabinetet e lëndëve të ndryshme si informatika, lënda e kimisë, biologjisë, po ashtu kanë munguar edhe mjetet si laptop, kompjuterë etj. Kemi mungese të librave në lëndë të ndryshme”, tha nxënësja.

“Na premtojnë mbi 20 vite”

Profesori Nazmi Ejupi duke folur për kushtet e këqija të shkollës dhe pakënaqësitë, tha se janë ndarë nga shkolla e mesme “Goce Dellçev” që nga viti 2001 dhe se janë transferuar në shkollën “Sami Frashëri”, ndërsa premtimet për objektin e ri të shkollës datojnë para 20 viteve.

“Kjo periudhë ka zgjatur, edhe pse në fillim nuk e kemi menduar se do të zgjasë kaq shumë , megjithatë u bë një zgjatje shumë e madhe. Kemi pasur shumë premtime, dhe se do të zgjidhet ky problem, megjithatë ne ballafaqohemi me kushte me të vërtetë shumë të vështira, nuk kemi laboratorë të kimisë, biologjisë, fizikës, dhe të informatikës etj. Po ashtu nuk kemi as sallë sportive, ka munguar çdo herë dhe mungon sot e kësaj dite, që do të thotë nxënësit nuk i nënshtrohen fare ushtrimeve të lëndës së edukatës fizike”, tha Ejupi.

“Mësimi vazhdon të mbahet në objekte të improvizuara”

Drejtori i shkollës Nagri Rexhepi sqaroi se mësimi mbahet në objekt të improvizuar, konkretisht në objektin e ish kombinatit bujqësor, i adaptuar për shkollë.

“Objekti është mjaftë i amortizuar dhe nuk marrim leje për rikonstruktim sepse ne nuk e kemi pronësinë e objektit, dhe llogaritet se jemi aty përkohësisht. Edhe më tepër e vështirëson situatën fakti që në atë objekt mësojnë edhe më se 1000 nxënës tjerë nga shkolla e mesme teknike Kumanovë “Nace Bugjoni”, paralelet e mjekësisë dhe teknikës me mësim në gjuhën shqipe. Mësimin e mbajmë në dy ndërrime, dhe kemi mjaftë vështirësi dhe me përpjekje maksimale mundohemi ta zhvillojmë mësimin që nxënësit tanë mos i lëmë mbrapa në krahasim me moshatarët e tyre nga gjimnazet tjera”, tha Rexhepi.

Ai shtoi se është mjaftë e vështirë të menaxhohet puna dhe të ketë mësim kualitativ në këto kushte.

“Shpresojmë të zgjidhet sa më shpejt çështja e objektit të shkollës”, tha Rexhepi.

Filloi ndërtimi i objektit të ri

Gjatë muajit maj 2024 filluan punimet për objektin e ri të gjimnazit “Sami Frashëri”, ndërsa pritet të përfundojë vitin 2025.

Nga Komuna e Kumanovës për Portalb.mk sqruan se projekti zbatohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

“Sipas projektit ndërtimi i shkollës së re pritet të zgjasë tre vjet dhe gjendet në ish-kazermën “Hristijan Todorovski Karposh” në lagjen Bedinje. Shkolla do të ketë katër kate dhe një sipërfaqe prej 7400 metrash katrorë, fushë sportive dhe parking. Objekti i ri modern do të ketë vend për 1200 nxënës”, thanë nga Komuna e Kumanovës.

Por nga Ministria e Arsimit, dhe Shkencës theksuan se ndërtimi i objektit të ri të gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

“Procesi i ndërtimit të kësaj shkolle është në vazhdim dhe, sipas kontratës së nënshkruar projekti duhet të përfundojë deri në gusht të vitit 2025”.

Pamje nga ndërtimi i objektit të ri të shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Ndërtimi i objektit të ri të shkillës “Sami Frashëri” Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Pamje nga ndërtimi i objektit të ri të shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” Kumanovë. Foto nga Portalb.mk

Premtime dhe zvarritje e projektit ndër vite

Në vitin 2019, nxënësit e shkollës së mesme të gjimnazit “Sami Frashëri” kërkuan zgjidhje pasi ndiqnin mësimin në objekte të papërshtatshme. Atë kohë nga Ministria e Arsimit, dhe Shkencës për Portalb.mk thanë se janë duke u kryer procedurat administrative të projektit.

Në vitin 2021 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në lidhje me projektin e ndërtimit të objektit të ri të shkollës fajin ia hodhi MASH-it, ai tha se që nga viti 2018 kanë dërguar kërkesë deri te Ministria e Arsimit, dhe ua kanë treguar hallin. Po ashtu në vitin 2020, e kishin dërguar sërish të njëjtën kërkesë, por pa marrë përgjigje.

Në vitin 2022, Qeveria e RMV-së solli vendim për shkollën e mesme të gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë që të ketë objekt të ri shkollor.

Më 27 maj të vitit 2023, filluan punimet për ndërtimin e ri të objektit të shkollës që pritet të zgjasin deri në vitin 2025.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments