205 vendbanime në Maqedoninë e Veriut nuk kanë aspak popullatë, ndërsa 215 vendbanime kanë më pak se 10 banorë. Këto të dhëna i shpalosi Drejtori i Entit Shtetëror të Revizionit, gjatë një takimi të përbashkët me entet e revizionit të Shqipërisë dhe Kosovës. Maksim Acevski, nënvizoi se migrimi masiv shkakton pozicion të papërshtatshëm për rolin e gruas rurale në tregun e punës.
“Kjo tregon se popullata nga mjediset rurale në mënyrë masive po migron dhe shkakton rol dhe pozicion të papërshtatshëm të gruas rurale. Nuk do të duhej të lejonim që me këto aktivitete ta humbasim gruan rurale, pasi nuk është politika që gruan rurale ta shndërrojmë në punonjës industrial, që ajo të udhëtojë në qytet dhe të punësohet dhe të prodhojë. Ta mbajmë në mjedisin rural, ta prodhojë atë që vërtetë mund ta prodhojmë e ai është ushqimi kualitativ… Tendenca dhe mospasja kujdes ndaj mjediseve rurale shkakton rritjen shokuese të çmimeve”, deklaroi Maksim Acevski, Enti Shtetëror i Revizionit të RMV-së.
Vlora Spanca nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, tha se asnjëra prej qeverive, nuk ka bërë mjaftueshëm në aspektin e përfshirjes së grave të zonave rurale në tregun e punës.
“Rezultatet e auditimit të tre institucioneve supreme të auditimit kanë treguar se qeveritë tona nuk kanë bërë mjaftueshëm në aspektin e përfshirjes së grave në zonat rurale në tregun e punës. hfrytëzoj rSastin t’i ftoj të gjithë kryesuesit e institucioneve publike që janë përgjegjës për zbatimin e strategjive në aspektin e barazisë gjinore, që të marrin parasysh rekomandimet që kanë dalë nga këto auditime me qëllim që të fuqizojmë gruan në vendet tona”, tha Vlora Spanca, Zyra kombëtare e Auditimit të Kosovës.
Problemet me mospërfshirjen e grave të zonave rurale në tregun e punës janë të ngjashme si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri.