4.1 C
Tetovo
E premte, 15 Nëntor, 2024
BallinaLajmeREL/ Bllokohet puna e “Bechtel & Enka-s” në Maqedoninë e Veriut

REL/ Bllokohet puna e “Bechtel & Enka-s” në Maqedoninë e Veriut

Punimet për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoninë e Veriut, pjesë e Korridoreve 8 dhe 10, nga konsorciumi turko-amerikan “Bechtel&Enka”, ende s’kanë filluar pasi pronarët e tokave që do të shpronësohen, janë të pakënaqur me vlerësimin e tyre.

Dy autostradat, njëra në pjesën perëndimore të vendit nga Tetova deri në Qafë Thanë, në kufirin me Shqipërinë, dhe tjetra që lidh qytetet Prilep dhe Manastir janë me një gjatësi prej 109 kilometrash.

Kostoja e realizimit të projekteve arrin në 1.3 miliard euro, ndërsa afati i ndërtimit të tyre është 57 muaj apo deri në fund të vitit 2027.

Por, banorët e Banjicës në Gostivar disa herë kanë dalë në protesta duke bllokuar rrugën, por edhe makinerinë e kompanisë “Bechtel&Enka”.

“Ne të gjithë jemi të një zëri, nuk i japim tokat tona. Me këto ara që kemi, ne mbajmë familjen ndërsa ata duan të na i marrin, jo për të ndërtuar autostradën, por për të vendosur kampe për punëtorët dhe më pas tokat tona do t’i shesin për bizneset e tyre”, ka thënë Nasir Asipi, kryetar i Këshillit të banorëve të Banjicës.

Ata kanë thënë se protesta e tyre nuk do të ndalet derisa shteti, siç janë shprehur ata, “nuk heq dorë” nga marrja e tokave të tyre.

Disa nga banorët kanë thënë se kompensimi i ofruar prej 10 eurosh për metër katror është nënçmues në kohën kur çmimi i saj në treg arrin deri më 60 euro.

Sipas tyre, tokat mund të merren në shfrytëzim apo me qira, por jo edhe të shiten.

Shteti planifikon të shpenzojë 300 milionë euro për shpronësimin e pronave private.

Ndryshe nga banorët e Banjicës, ata të Prilepit kanë bllokuar makinerinë e kompanisë ndërtuese, ndërsa janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese ku kanë paditur shtetin për dëmet mbi shëndetin nga gërryerja e tokës.

Gjykata e shkallës së parë nga Prilep duhet të dalë me ekspertë për të hetuar nëse “Bechtel & Enka” me gërmimin e materialit shkakton dëme për njerëzit, mjedisin dhe objektet e rëndësisë të veçantë për këtë zonë.

“Një gjyqtar do të shkojë në terren me ekspertë për të siguruar provat. Do të kërkojmë masë të përkohshme për ndalimin e aktiviteteve ndërtimore”, ka thënë avokati Zharko Stevanovski për Radion Evropa e Lirë.

Problemet teknike, ato me shpronësimin e tokës dhe dyshimet për elemente korruptive në kontratën e nënshkruar ndërmjet Qeverisë dhe kompanisë “Bechtel & Enka”, kanë hapur edhe lëndë gjyqësore si dhe nisma nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.

Përveç kësaj, konsorciumi po përballet edhe me mungesën e punëtorëve.

Kompania “Bechtel & Enka” ka kërkuar nga institucionet ndihmë në sigurimin e mbi 4.000 punëtorëve – përfshirë kuadrin inxhinierik – që do të nevojiten për të përfunduar projektin.

Nga Oda Ekonomike kanë thënë se nuk mund t’i ofrojë punëtorë, por vetëm kompani cilësore që mund të kryejnë punimet në autostrada në kushte të barabarta me konsorciumin.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 ka ndarë 15 miliardë denarë, përkatësisht 243 milionë euro për projektin për Korridoret 8 dhe 10, mjete të cilat ishin paraparë në buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Agjencia e Rrugëve Shtetërore nuk i kanë komentuar reagimet e banorëve, por kanë theksuar se “shpronësimi i tokave sikur edhe i gjithë projekti, po realizohet sipas dinamikës së paraparë”.

Por, VMRO DPMNE-ja që i ka fituar zgjedhjet parlamentare më 8 maj ka thënë se Qeveria e re do t’i shqyrtojë të gjithë procedurat për ndërtimin e dy autostradave.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, që pritet të jetë kryeministër i ri, ka thënë se ekzekutivi i ri ka dy opsione, ta anulojë kontratën ose ta ndryshojë, varësisht vlerësimeve të ekspertëve.

“Një opsion është të anulohet kontrata dhe të shkojmë në arbitrazh, të paguajmë qindra miliona euro dhe të mos kemi autostradë. E dyta është rishqyrtimi i kontratës, për të cilën tashmë kemi bisedime fillestare, e cila do të përshpejtonte dhe realizonte projektin. Ne jemi për qasje pragmatike, që qytetarët të marrin autostradën, por kushtet mbi të cilat është arritur marrëveshja janë deri diku të pazbatueshme, me probleme të mëdha ligjore, probleme me shpronësimet dhe me probleme tjera teknike. Mesazhi im është që si Qeveri e ardhshme duam të ndërtojmë, jo të shkatërrojmë”, ka thënë Mickoski, më 16 maj.

Më 8 mars 2023, konsorciumi “Bechtel dhe Enka” dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë lidhur marrëveshje për ndërtimin e katër autostradave.

Për shkak të përvojës së hidhur me ndërtimin e autostradave të mëparshme, për të cilat punimet zgjasin me vite dhe nuk kanë fund, Qeveria ka vendosur t’i ndërtojë rrugët e reja sipas parimit me “çelës në dorë”.

Për këtë qëllim janë ndryshuar disa ligje, përfshirë edhe ai për shpronësim.

Për ndërtimin e autostradave është anashkaluar Ligji për Prokurimin Publik, ndërsa Parlamenti ka miratuar një ligj të ri për kontratë në “katër sytë”.

Marrëveshja e arritur nuk është vënë në dispozicion për publikun dhe pjesa më e madhe e përmbajtjes së saj nuk dihet. Komisioni Kundër korrupsionit paralajmëroi se pikërisht marrëveshje të tilla me kompanitë e huaja të ndërtimit lënë hapësirë për aktivitete korruptive./REL

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments