“Financial Times” i ka kushtuar një artikull sot, sfidave të forta me të cilat po ndeshet sot BE, duke filluar me luftën që po bën Britania e Madhe për daljen nga unioni, deri tek shqetësimi i dy shteteve që po presin hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
“Një grindje për politikën e zgjerimit i mbajti liderët, – përfshirë z.Johnson, – të mbërthyer në darkë deri në orën 2 të mëngjesit.
Pas mbi gjashtë orësh grindje, liderët nuk arritën të bien dakord për konkluzionet e samitit mbi atë se çfarë do të bëjnë me bisedimet e pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Diplomatët thanë se kundërshtimi nga Franca, Danimarka dhe Holanda e ndaluan bllokun të propozonte, një afat të ri njëvjeçar, për fillimin zyrtar të bisedimeve të pranimeve, me të dy vendet.
Emmanuel Macron, që e ka kundërshtuar ashpër dhënien e dritës jeshile iku nga samiti pa iu drejtuar gazetarëve.
Kryeministri i Finlandës Antti Rinne u tha liderëve se do të bëjnë një tjetër përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët të premten”, shkruan “Financial Times”.