Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e gatshme që të bashkëpunojë me Republikën e Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ashtu siç është e gatshme të bashkëpunojë me të për çfarëdoqoftë teme tjetër. Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev duke ju referuar deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se pas marrjes së mandatit si kryeministër, rruga Tetovë- Prizren do të jetë një prej punëve të para që do të bëjë në bashkëpunim me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Zoran Zaev, Kryeministër: Dua që t’i shoh të gjitha paramentrat dhe nevojën për ndërtimin e rrugës Tetovë- Prizren, ne jemi në dispozicion, kapaciteti financiar i shtetit është serioz, e veçanërisht për infrastrukturë, duam të alokojmë mjete, por gjithsesi i alokojmë në pajtueshmëri me parametrat, nevojën për lëvizje, nevojën për përdorim, duke pasur parasysh se ndërtojmë zgjidhje të tilla të autostradave, se ekzistojnë edhe rrugë të tjera që na lidhin me fqinjët dhe të ngjajshme. Në pajtueshmëri me këto do t’i sjellim vendimet, por nëse do të bashkëpunojmë me Republikën e Kosovës, po, ose për këtë temë, ose për çfraëdoqoftë tjetër.”
Kryetari i Vetëvendojes, Albin Kurti, në një prononcim për mediat, mbrëmë, ka deklaruar se një prej punëve të para që do të bëjë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut do të jetë ndërtimi i rrugës Tetovë- Prizren.
Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes: Ne në program tonin e kemi aksin Deçan – Plavë, aksin Gjakovë – Shkodër, aksin Prizren – Tetovë dhe atë Gjilan – Kumanovë. Tash duhet ta diskutojmë këtë gjë. Fillojmë bisedimet me Maqedoninë, sepse ai tunel është përafërsisht 2.5 km në anën e Kosovës dhe 2.5 km në anën e Maqedonisë, por nuk kushton tuneli si i tillë më shumë se 30 milionë euro. Pra është pak më shumë sesa gjysma që ja kanë falë Bektelit këta që shkuan. Prandaj unë besoj që kemi mjete për këto”.
Ndërkohë, kryeministri Zaev nënvizon se ajo për të cilën po shpejtohet tani për tani, është një tentim i dytë për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë, për të cilën thekson se deri më së voni në janar, do të shpallet edhe pjesa e dytë e seksionit, me tempo intensive dhe me kompani kualitative, me qëllim që të shkurtohet periudha e realizimit të autostradës Shkup-Bllacë.