Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një bisedë për podcastin “Rest is Politics” me Alastair Campbellin dhe Rory Ste]artin ka folur për tema të ndryshme, ndër to edhe për çështjen e kritikave që po merr nga aleatët ndërkombëtarë e po ashtu edhe për periudhën që kishte kaluar si i burgosur politik nga viti 1999.
Kurti për kritikat që ka marrë nga SHBA-ja e Bashkimi Evropian për çështjen e “dinarit”, ka thënë se janë të mirëseardhura.
“Së pari nuk më pengojnë kritikat…Kritikat janë të shëndetshme. S’ka progres pa kritika. Mund të mos pajtohemi, por SHBA-ja, BE-ja dhe Britania e Madhe janë aleatët tanë, miqtë dhe partnerët tanë. Nuk do të thotë se bashëpunimi ynë është rrugë njëkahëshe. Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin. Dhe në këtë kuptim, besoj se duhet ta mbroj Kosovën, duhet ta përfaqësoj më mirë edhe se aleatët tanë. Nuk do të isha kryeministër nëse Kosova s’do të ishte Republikë dhe nuk është vetëm pjesërisht e njohur, por nga 117 shtete nëpër botë, 22 nga 27 shtete anëtar të BE-së dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s…Po ashtu Kosova e ka marrë organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 së bashku me Durrësin”, tha Kurti.Për periudhën e kaluar në burg, Kurti ka përshkruar torturuat, por edhe se si ajo periudhë e ndihmoi të mësonte të lidhej me njerëz që vinin nga fshati dhe se më pas kjo e çoi te krijimi i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Mund të flas se si është në burg, për periudhën kur u burgosa nga UNMIK-u, EULEX-i e Policia e Kosovës. Por, gjatë Serbisë ishte si kamp përqendrimi. Humba gati 30 kilogramë në vitin 1999. Kishte tortura sistematike. Rrahje, që nganjëherë ndodhin edhe disa herë në ditë. Rrahje me shkopinj, shumë gardianë njëkohësisht. Këta ishin gardianë. U torturova nga uniforma”, tha Kurti.
Ai ka treguar se si ishte dënuar me 15 vjet burgim, por i mbajti 2 vjet e 7 muaj, fillimisht në Lipjan e më pas u transferua në Pozharec.
“Më 10 qershor 1999, kur Serbia po tërhiqte policinë e forcat ushtarake, në konvoj vendosën autobusë të kuq me të burgosur politikë shqiptarë në mes të tyre, që NATO-ja të mos bombardonte. Na përdorën si mburojë. U transferova në burg në Pozharec nga Lipjani, e Pozhareci ishte vendlindja e Millosheviqit. Kalova total 2 vjet e 7 muaj në burg. Një vit e 5 muaj gjatë Millosheviqit, 1 vjet e dy muaj në periudhën e Koshtunicës”.
Ai thotë se në fillim i kishin kërkuar informata, por më pas thjeshtë e mbanin nga zemërimi që kishin me bombardimet e NATO-s.
“Thoshin se do të paguani se çfarë po na bën ne NATO-ja. Pa menduar se çfarë bën ata që NATO-ja po i bombardonte”, tha Kurti.
Kurti thotë se në burg mësoi si të lidhej e të fliste me njerëz nga fshati: Pasi dola formova organizatën
Kurti ka treguar se në burg kishte bërë plane për më gjatë.
“Planifikova të mësoja gjuhë të huaja në burg. Në Pozharec gjeta libër në gjuhën italiane. Mendova të mësoja italishten në burg, pasi ishte libri i vetëm aty. Më vonë filluan të më sillnin libra të tjerë, kryesisht autorë rusë, pasi donin të më poshtëronin. I lexova të gjithë, Dostojevskin e Pushkinin në burg, në gjuhë serbo-kroate”, tha Kurti. “Në burg ke hapësirë shumë të vogël e ke shumë kohë, është vend për të lexuar vërtetë dhe pa shpërqendrim. Në burg atje po qëndroja me njerëz që vinin nga fshatrat, ishte shumë me rëndësi për aftësinë time që të organizojë njerëzit kur të dilja. Kur dola arrita të krijoja organizatën, pasi dija si të flisja e të lidhesha me njerëzit që vinin nga fshatrat”.
Kurti për torturat në burgjet serbe: Humba vetëdijen 40 herë, s’besova se do të dilja gjallë
Kurti ka treguar se si nuk e besonte se do të dilte gjallë nga burgu.
“E humba vetëdijen afro 40 herë gjatë torturave, pra nuk kishte as gjasa të imagjinoja se do të dilja gjallë. Atje po na rrihnin të gjithë të burgosurve shqiptarë, nuk isha vetëm unë. Kishte mijëra shqiptarë. Për të mbijetuar nga torturat duhet të kesh edhe fat. Pashë njerëz që vdiqën pas 5 minutave të rrahjeve e torturave, e pashë njerëz, këtu përfshihem edhe unë, që u rrahëm shumë e dolëm gjallë. Nuk ishte në dorën tonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ndër të tjera ka thënë se beson që presidenti rus Vladimir Putin qëndron “prapa vrasjes së liderit opozitar rus Alexey Navalny”.