Këshilli Gjyqësor sot pasdite përmes një kumtese reagoi për ndryshimet e paralajmëruara të ligjeve me të cilat parashihet ulje e koeficientëve të pagave për personat e zgjedhur dhe të emëruar.
Nga Këshilli Gjyqësor bëjnë të ditur se me ndërhyrjen në ligj në të cilin është e garantuar paga e gjykatësit, drejtpërdrejt ndikohet në funksionimin normal të gjykatave dhe të pavarësisë së kryerjes së pushtetit gjyqësor.
“Pavarësia financiare e gjyqësorit ka një rëndësi të madhe për pavarësinë e gjyqësorit në përgjithësi, kështu që me ndërhyrje në ligjin në të cilin paga e gjykatësit është e garantuar, me mungesë të mjeteve financiare për pagesën e shtesave në pagë për të punësuarit në drejtësi, mos rritje e pagave të të punësuarve në drejtësi, mosmiratimi i të gjitha pëlqimeve të kërkuara për punësime të reja, ndikon drejtpërdrejt në funksionimin normal të gjykatave dhe në pavarësinë e kryerjes së pushtetit gjyqësor”, thuhet në kumtesë.
Nga Këshilli Gjyqësor theksojnë se gjykatësit në kryerjen e funksioneve të tyre duhet të jenë të pavarur, kompetentë dhe të paanshëm dhe se për këto shkaqe pagat e gjykatësve janë rregulluar me ligj të veçantë.
“Organi më i lartë ligjvënës gjatë miratimit të ligjeve, është i detyruar të respektojë Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ka ratifikuar. Ky ligj është miratuar pikërisht në përputhje me kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar nga Kuvendi, por edhe me respektimin e standardeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me gjyqësorin”, thuhet në kumtesë.
Në Kuvend sot në kuadër të seancës së 145-të plenare kaloi propozimi për ndryshimin e gjashtë ligjeve me të cilët propozohet ulje e koeficientëve për llogaritjen e pagës së personave të zgjedhur dhe të emëruar.