6.6 C
Tetovo
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024
BallinaLajme“Krekosja si çlirimtar, e gabuar”- Menduh Thaçi: Pse nuk shkoj mirë me...

“Krekosja si çlirimtar, e gabuar”- Menduh Thaçi: Pse nuk shkoj mirë me Albin Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në RMV, Menduh Thaçi, ishte i ftuar këtë të enjte në Euronews Albania, ku foli në lidhje me zgjedhjet që pritet të mbahen në Maqedoninë e Veriut në fund të janarit.

Thaçi u ndal dhe te hyrja e Vetëvendosjes si forcë politike në RMV, të cilën e kundërshtoi duke thënë se kemi të bëjmë me një ndërhyrje të qeverisë së Kosovës dhe jo me garimin e një force të re politike mes shqiptarëve.

Thaçi theksoi se ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni, legjitimon në mënyrë jo të drejtpërdrejtë dhe ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut.

“Kjo ndërhyrje nuk është ndërhyrje partiake, kjo mund të quhet ndërhyrje e qeverisë së Kosovës dhe në mënyrë të tërthortë e bën detyrën e dreqit, legjitimon ndërhyrjet e qeverisë së Serbisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Unë nuk e di, nuk është Kurti gjenerata e re politike, por shqiptarët e shekullit të ri për diçka jemi marrë vesh, të majtë dhe të djathtë, për ne prioritet dhe komandues i këtij prioriteti në historinë e re ngelet anëtarësimi në BE, NATO dhe aleanca e përjetshme me SHBA-të, besomni se prioritetet kombëtare i kemi kaluar në vend të dytë me vetëdije të plotë”, tha ai.

Duke u ndalur te kryeministri i Kosovës, Thaçi zbuloi dhe arsyet pse ai nuk bie dakord me politikën e ndjekur prej tij.

Kreu i PDSH nënvizoi se Kurti nuk duhet të marrë merita të paqena për avancimin e dialogut me Serbinë, por t’ua lërë meritat SHBA-ve dhe të mos e cënojë partneritetin e përjetshëm të shqiptarëve me aletaët.

“Nuk shkoj mirë me Kurtin. Çështja kryesore që më pengon te kryeministri i Kosovës, nuk kam dashur ta them, por po e them sot për herë të parë hapur dhe drejtpërdrejtë, është “rrahagjoksja” e qeverisë së Kosovës për rezultate spektakolare në avancimin e pavarësisë së Kosovës apo dhe në integrimin e Veriut, por kjo ka të bëjë me manipulim dhe rezultatet janë zero.

Unë kam shumë stres dhe frikë se nga një sjellje dhe krekosje e tillë, nga një mashtrim kaq i madh që i bëhet popullit të Kosovës ne mund të shkaktojmë një mëdyshje te bashkësia ndërkombëtare, te NATO-ja dhe SHBA-ja. Çfarë kërkon zoti Kurti të tregojë? Se ai është çlirimtari dhe meritori që Kosova është në këtë situatë?

Është tërësisht e gabuar, meritat i kanë aletaët tanë. Ne shumë afër kemi tragjedi të jashtëzakonshme, siç është rasti i Bosnjës, ku boshnjakët sot me mbi 200 mijë viktima nuk e kanë ende shtetin e pavarur. Nuk e kanë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të NATOS-s. Kjo për mua është tërësisht e gabuar. Kam një pyetje hipotetike, çfarë mund të ndodhë nëse ne i zhgënjejmë aleatët perëndimorë?”, tha Thaçi.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments