7 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaLajmeTakim Lloga-Dameva: Bashkëpunimi institucional do të intensifikohet

Takim Lloga-Dameva: Bashkëpunimi institucional do të intensifikohet

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, realizoi takim me kryetaren legjitime të Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në të cilin takim biseduan për zhvillimet aktuale në të dy institucionet. Vendimi i Gjykatës Administrative me të cilin Dameva u rikthye në vendin e kryetarit, ngjall shpresë për kthimin e besimit në institucionet, si dhe domosdoshmërinë e punës ligjore dhe të përgjegjshme, tha ministri Lloga.

“E përshëndes vendimin e shumicës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor për ndërprerjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. U mirëpritën edhe procedurat e dy ish anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, gjyqtares supreme Mirjana Radevska Stefkova dhe gjyqtarit të apelit, Zoran Gerasimovski, të cilët dhanë dorëheqje për shkak të vendimit për shkarkimin e paligjshëm të Damevës nga funksionit i kryetarit”, shtoi Lloga.

Dameva falënderoi ministrin për të gjitha aktivitetet që ka ndërmarrë në periudhën e kaluar dhe indikacionet për punën dhe veprimet e Këshillit Gjyqësor, të cilat, siç thonë nga Ministria e Drejtësisë, dëshmuan se ky institucion ka nevojë për reforma të patjetërsueshme.

“Në takim u diskutua për Strategjinë për zhvillimin e sistemit të gjyqësorit (2024-2028) dhe masat që janë parashikuar me të për reformat në zgjedhjen, përgjegjësinë dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Strategjia plotësisht është harmonizuar me rekomandimet e Misionit vlerësues, për të cilat kryetarja e këshillit, Dameva, shprehi gatishmërinë për implementimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Lloga tha se gjatë javës së ardhshme Grupi Punues do të përgatisë draft versionin e ndryshimeve ligjore për Këshillin Gjyqësor. Nga Këshilli Gjyqësor u kërkua të shqyrtojnë të gjitha lëndët dhe shkresat e Ministrisë së Drejtësisë, që i janë dërguar në një kohë sa më të shkurtë të mundur.

Bashkëpunimi institucional i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor, do të intensifikohet edhe në periudhën e ardhshme përmes bashkëpunimit të ndërsjellët dhe projekteve, për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin e gjyqësorit.

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut me 3 janar ktheu në pozitën e kryetares Vesna Dameva, e cila u shkarkua më 26 prill me vetëm shtatë vota pro, pas çka Këshilli Gjyqësor pati dy përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kryetarin e ri. Këshilli Gjyqësor më 4 maj, në seancën pas orarit të punës, të cilin e njoftoi në ueb-faqen e tij pak para fillimit, me tetë vota për kryetar të ri zgjodhi Sashko Georgiev.

Para kësaj, këshilli mbajti dy seanca të fshehta, në të parën votoi tërheqjen e vendimit fillestar për shkarkimin e Damevës dhe më pas, ka votuar mosbesimin dhe e ka shkarkuar. Vendimet për mbajtjen e seancave të mbyllura nga Këshilli Gjyqësor u arsyetuan me një dispozitë të ligjit që parashikon se publiku mund të përjashtohet për të mbrojtur reputacionin dhe integritetin e gjyqtarit ose kandidatit për gjyqtar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments