Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Besar Durmishi informoi se Këshilli Komunal shfuqizoi planin te Spitali i Tetovës ku është privatizuar tokë mbi rezervarët e naftës, transmeton Portalb.mk.
Durmishi tha se, tha se me planin e ri, toka do t’i kthehet spitalit të Tetovës.
“Pas shqetësimeve të ngritura nga drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, për pronen e uzurpuar nga mafia urbane, Sot me vendim të këshillit komunal shfuqizuam pjesën e planit të vjetër urbanistik i cili ishte në kundërshtim me planin gjeneral urbanistik. Plani i ri do të hartohet me përfshirjen e qytetarëve dhe në kundërshtim me mafien urbane, për t’a kthyer atë pronë tek spitali i Tetovës, e assesi tek interesi privat”, ka shkruar Durmishi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Durmishi më herët gjatë ditës së sotme, kishte paralajmëruar se, Komuna e Tetovës do të fillojë procedurën për shfuqizimin e planit të vjetër në hapësirën e Spitalit të Tetovës ku është privatizuar tokë prej 97 metra katrorë.
Durmishi në një deklaratë për media, theksoi se do ta fillojnë procedurën e shfuqizimit të planit të vjetër pasi shihet qartë se ka tendenca tjera.
“Pra, plani i ri do të hartohet konform interesave të qytetarëve dhe jo në dobi të mafias urbane. Tendenca e tyre që të bëjnë bashkëngjitje të pronës është refuzuar nga ana jonë. Pasi do të realizohet një plan i tillë, i njëjti do t’i dorëzohet spitalit dhe pastaj do jetë në dorën e spitalit se si do të vazhdojë më tutje”, tha Durmishi.
Ai tha se me sjelljen e planit të ri ,në atë parcelë do të shihet se cili është interesi i spitalit, do të shihet të realizohet interesi i spitalit gjegjësisht interesi i qytetarëve dhe jo interesi i individëve.
“Më pas në bazë të atij plani të ri që do të sjellim do të autorizohet kryetari i komunës, gjegjësisht sektori i urbanizmit që ta realizon”, theksoi Durmishi.
Në hapësirat e Spitalit të Tetovës janë privatizuar 97 metra katrorë tokë në vendin ku ndodhet edhe një pjesë e rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Këtë e ka bërë të ditur dje drejtori i Spitalit të Tetovës Ilir DEMIRI.
Në hapësirat e Spitalit të Tetovës janë privatizuar 97 metra katrorë tokë në vendin ku ndodhet edhe një pjesë e rezervuarëve të naftës të spitalit që janë mbi 50 vjet në shfrytëzim të spitalit dhe është pronë e spitalit. Këtë e ka bërë të ditur dje drejtori i Spitalit të Tetovës Ilir Demiri, i cili tha se mafia urbane me ndihmën e udhëheqësisë paraprake të Komunës, kryetar dhe shef kabineti, duke mos cekur emër konkret se për cilin kryetar bëhet fjalë, ka tendenca të privatizojë dhe tokën deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet dalja spitalit në rrugën “Bllagoja Toska”.
“Problemi qëndron se këto njerëz që merren me mafien urbane kanë tendenca të privatizojnë deri te lumi pronën e spitalit dhe t’i pengohet spitalit dalja në rrugën Bllagoja Toska”, tha Demiri.
Ai tha se i kanë informuar institucionet kompetente.
“Institucionet për fat të mirë nuk u kanë dhënë leje dhe nuk u kanë mundësuar, por ato mendohen me dhunë ta realizojnë”, tha Demiri.
Në lidhje me këtë rast reagoi ish kryetari i Komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, i cili mohoi të jetë përfshirë në këtë rast.
“Pasi unë jam fajtor dhe Alajdini, nuk ka problem, do të vijë koha do e shohim, do i shohim procedurat ligjore dhe ligjin në fuqi që është dhe që ka qenë edhe a kam faj unë diçka a kam ndërmarrë diçka në këtë tokë që bëhet fjalë për shtëpi 200 metra katrorë. Absolutisht nuk kam çfarë të flas se në kohën time nuk ka pasur asgjë, nuk kam pasur të drejtë as të shes, as të blej tokë, as të bëj privatizim”, tha Bexheti.
Rasti u konfirmua edhe nga Policia të cilët thane se A.H. i ka penguar punonjësit që punonin për murin e spitalit duke u shfaqur në vendngjarje dhe ka thënë se ai vend ishte i tij dhe se kishte dokumentet e duhura për të.
Sipas raportit, Spitali Klinik i Tetovës ka leje ndërtimi dhe ka kërkuar që personi të paralajmërohet që të mos pengojë punëtorët dhe për çdo mosmarrëveshje të adresohet përmes institucioneve kompetente.
Ndërkaq po ashtu, A.H. ka raportuar uzurpim të patundshmërisë nga Spitali klinik Tetovë, i cili ka kryer punë ndërtimore në tri parcela kadastrale në rrugën 29-nëntori në Tetovë pronar i së cilës ishte ai, ndërsa një nga parcelat kadastrale në të cilën kryheshin punimet ndërtimore ishte në pronësi të RMV-së.
Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.
Ndërkaq nga Prokuroria njoftuan se deri dje në Prokurorinë e Tetovës nuk ka të paraqitur diçka për këtë rast.