5.4 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeAli Ahmeti takon Pendarovskin, mospajtime brenda LSDM! O’Brajan po vjen në Shkup...

Ali Ahmeti takon Pendarovskin, mospajtime brenda LSDM! O’Brajan po vjen në Shkup – kërkohet “non paper” nga partitë shqiptare!?

Periudhë përplasjesh brenda LSDM-së, tregojnë burime partiake për TV21. Siç publikuam dje, ish-kreu i LSDM-së, Zoran Zaev i ka vendosur ultimatum Kovaçevskit që të tërhiqet nga pozita e kryetarit të partisë deri më 28 janar. Megjithatë, siç mësojmë, Kovaçevski aspak nuk mendon për dorëheqje.

Arsyet për mospajtimet janë kalkulimet dhe përllogaritjet parazgjedhore për zgjedhjet e ardhshme.

LSDM dëshiron një koalicion më të gjerë, Front europian, përkatësisht lista të përbashkëta me BDI-në dhe ASH-në dhe kandidat të përbashkët për president i cili do të marrë përkrahjen prej këtyre dy partive që në raundin e parë. Edhe pse fillimisht Ahmeti ishte dakord me këtë, tani situata po ndryshohet. Tash me sa merret vesh BDI është kundër, edhe pse sipas burimeve të TV21, Ahmeti ende e mban si të hapur edhe këtë opsion.

BDI mendon për kandidat të vet për president për shkak se nuk do që t’i lërë hapësirë të zbrazët opozitës shqiptare që të marrë pika me kandidat të vetëm për president. Siç dihet, LEN përkatësisht opozita e bashkuar shqiptare do të dalë me kandidat të saj për president.

TV21 mëson se para dy ditëve u takuan Ahmeti dhe Pendarovski ku kanë biseduar për gjendjet aktuale por edhe për listën e zezë të SHBA-ve. Përshtypja është se publikimi i listës së zezë më së shumti shkon në favor të opozitës. Kanë diskutuar edhe për ndodhitë në M-NAV por edhe për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Në opinion përflitej opsioni që Pendarovski ta ketë përkrahjen e LSDM-së dhe BDI-së për mandat të ri presidencial, por kjo vijoi pasi opozita shqiptare vendosi të dalë me kandidatin e vet, andaj BDI seriozisht mendon që në raundin e parë të nxjerrë kandidat të vet, ndërsa në raundin e dytë eventualisht, ta përkrahë Pendarovskin nëse i njëjti propozohet nga LSDM.

Njëkohësisht, jozyrtarisht TV21 mëson se faktori ndërkombëtar i ka kërkuar opozitës shqiptare që të mos dalë me kandidat për president dhe fokusin ta kenë vetëm në zgjedhjet parlamentare. Megjithatë, këtë e refuzoi treshja Mexhiti, Kasami dhe Gashi.

Një problem shtesë për faktorin ndërkombëtar dhe arsye për reagimet e tyre deri tek opozita shqiptare, është roli i Albin Kurtit në zgjedhjet në Maqedoni. Siç dihet, Kurti i jep përkrahje të hapur LEN-it, ndërsa në listat e zgjedhjeve do të ketë simpatizues ose anëtarë të partisë së tij, Vetëvendosje, që janë shtetas të Maqedonisë.

TV21 mëson se Albin Kurti është takuar me liderët e partive shqiptare në Maqedoni. Në këtë takim me Taravari, Kasami, Mexhiti dhe Gashi, u bisedua që t’i jepet përkrahje Taravarit për kandidat për president, ndërsa Taravari tha se për këtë çështje e pret përkrahjen e ish-kryetarit të ASH-së, Ziadin Sela. Por siç duket i njëjti nuk e ka marrë këtë përkrahje. Para disa ditësh, Sela është takuar me Albin Kurti, ndërsa sipas informacioneve tona, takimi nuk ka shkuar aq mirë, pasi Sela ka refuzuar ta përkrahë Taravarin për kandidat për president.

Sipas burimeve të TV21, më 22 janar në Maqedoni vjen Xhejms O’Brajan, ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-ve për çështje europiane dhe euroaziatike. Pritet që të qëndrojë këtu dy ditë ndërsa tema kryesore do të jenë ndodhitë politike. Gjatë vizitës së fundit, O’Brajan i dërgoi kritika serioze VMRO-DPMNE-së, kur në një intervistë, i pyetur për pohimet e kësaj partie se mund të sigurojë kornizë të re negociuese dhe kushte më të mira për kontestin me Bullgarinë, tha se ai që ka ofertë më të mirë dhe nuk e tregon, prej tij nuk do të blinte as veturë.

Jozyrtarisht, faktori ndërkombëtar insiston që të nënshkruhet “non paper” nga partitë shqiptare se nuk do të bëjnë koalicione me asnjë parti që publikisht nuk do të dilte dhe të zotohej se në 6 muajt e parë të mandatit të ri do t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments