Vetëm masa sigurie ka përcaktuar Gjykata për drejtuesin e sulmit në kullën e kontrollit të fluturimit M-NAV dhe për të dyshuarit e tjerë që nuk i shpëtuan policisë.
Prokuroria për këtë ngjarje ka kërkuar paraburgim dhe e cilëson si veprën penale të “Rrezikimit të sigurisë së trafikut ajror” nga ant. 303 paragrafi 2 me nenin. 22 të Kodit Penal, vepër e dënueshme me të paktën 5 vjet burg. Por kështu nuk ka menduar gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit, ku janë marrë vendime, me të cilat janë caktuar masa sigurie për të katër personat.
Në bazë të nenit 146 paragrafi 1 të Kodit Penal, për të dyshuarit është përcaktuar:
Ndalimi i daljes nga vendbanimi, gjegjësisht vendqëndrimi, detyrimi për paraqitjen e tyre te zyrtari i caktuar në gjykatë, konfiskimi i dokumentit të udhëtimit, përkatësisht ndalimi i lëshimit të tij, dhe ndalimi i komunikimit me të dëmtuarin si dhe komunikimi i ndërsjellë.
Kundër këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese pranë këshillit penal të kësaj gjykate, tha Gjykata.
Përveç këtyre katër personave që janë ndaluar, janë në kërkim edhe katër persona të tjerë të pakapshëm për policinë.