Vrasja e dyfishtë që ndodhi në Çellopek të Tetovës ka filluar të hetohet nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë, ndërkohë ndaj të dyshuarit është caktuar paraburgim 30 ditorë nga Gjykata Themelore në Tetovë, transmeton Portalb.mk.
“Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka miratuar Urdhrin për realizimin e procedurave hetimore ndaj 59 vjeçarit, banor i Çellopekit, i cili dje ka vrarë dy persona, ndërsa ka tentuar të vrasë edhe katër persona të të njëjtës familje”, raportoi Prokuroria, duke shtuar që viktimat ishin babë e bir.
Raportohet që i dyshuari ka përdorur një armë pa leje pas një debati që kanë pasur. Armë ka përdorur edhe viktima, por arma e tij ishte me leje.
“I dyshuari u takua me viktimat kur doli nga oborri i shtëpisë dhe filloi të debaton për rrugën që e shfrytëzojnë së bashku dhe për të cilën edhe më herët kanë pasur mospajtime”, deklaroi sqaroi Prokuroria, duke sqaruar që ai po hetohet për veprën penale – Vrasje, në bazë të nenit 123, paragrafi 3, tentim vrasje dhe mbajtjen e armës pa leje.
Ndryshe, dy të vrarët nga të shtënat e djeshme në fshatin Çellopek të Tetovës janë babë e djalë 52 dhe 28 vjeç. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një 54-vjeçar. Të tre, siç njoftojnë nga Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) Tetovë, ishin të afërm të vrasësit të dyshuar 59-vjeçar. Të gjithë jetonin në të njëjtin fshat.
Sipas informacioneve fillestare të policisë, siç deklaroi dje ministri Oliver Spasovski, shkak për vrasjen e dyfishtë janë marrëdhënia e pazgjidhur pronësore familjare.