Shkupi është qyteti nga i cili doli Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza, misionarja katolike tashmë e shpallur shenjtore nga Vatikani, por pikërisht në qytetin e saj të lindjes më nuk ka mesha në gjuhën e saj amtare, shkruan TV21. Katolikët shqiptarë të Shkupit nuk kanë se ku të dëgjojnë mesha në gjuhën shqipe. Duke folur për këtë, në ceremoninë solemne me rastin e Krishtlindjes, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Skender Asani, u shpreh se komunitetit katolik shqiptar në Shkup meriton t’i zhvillojë të gjitha shërbimet fetare në gjuhën e ëmbël të Nënës Terezës dhe se nuk kanë hequr dorë nga ideja që në kryeqytet të sjellin një prift që do të meshonte shqip.“Për rrjedhojë, ne nuk kemi hequr dorë nga ideja që në Shkup të kemi një famullitar shqiptar, sepse vetëm kështu do të ketë kuptim ruajtja e këtij komuniteti nga shprishja e mëtutjeshme. Nëse nga Shkupi ynë doli një grua me përmasa planetare të madhështisë humane e njerëzore, siç ishte Nëna Terezë, pse pikërisht në Shkup të mos rikthejmë jehonën e këngëve dhe vjershave të Gonxhe Bojaxhiut përmes një bariu i cili do t’i drejtohej në gjuhën shqipe grigjës së tij”, tha Skender Asani, drejtor i ITSHKSH Shkup.