2.3 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAkademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti /KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS...

Akademik Prof.Dr. Abdulla Mehmeti /KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS SË RILINDËSIT REXHEP VOKA, ME KËTË EDHE I SHIPKOVICËS DHE BANORËVE TË SAJ (V)

Reagim me sqarime në mbrojtje të së vërtetës (5)

Me shkas, pamfletet e publikuar gjatë viteve të fundit për denigrimin e figurës së Rexhep Vokës, nga disa individë, qarqe intelektuale, qendra politike dhe medie, sidomos gjatë muajit Nëntor, kur shqiptarët i festojnë ngjarjet më të rëndësishme të historisë së tyre, Ditën e Njësimit të Abecesë së Gjuhës Shqipe (1908), Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë (1912), për t’i dhënë peshë dhe rëndësi kësaj propagande të huaj ndër shqiptarët, sidomos te brezi i ri, i painformuar mjaftueshëm për rëndësinë e këtyre ngjarjeve nga historia e lavdishme e kombit shqiptar, si dhe nga mungesa e njohurive për figurën rilindësit Rexhep Voka dhe rolin e veprës së tij për arsimin dhe kulturën, shkollën shqipe, gjuhën amtare, lirinë dhe pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, nga fillimi i shekullit njëzet deri në ditën e sotme.

* * *

PSE DISA INDIVIDË DHE QARQE POLITIKE PËRPIQEN TA DENIGROJNË FIGURËN E REXHEP VOKËS DHE TA FALSIFIKOJNË VEPRIMTARINË E TIJ ARSIMORE E ATDHETARE?

Me këtë rast, duhet të sqarojmë se, këto reagime janë me shkas, pas publikimit të disa shkrimeve dhe pamfleteve gjatë viteve të fundit, që lidhen me fenomenin e falsifikimit të historisë, denigrimin e personaliteteve të shquar shqiptarë, të aktualizuar një kohë të gjatë nga shumë persona, medie dhe qarqe intelektuale, që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, ku ndoshta padashur ka rënë pre e tyre edhe autorët e këtyre shkrimeve.

Ne e kemi obligim të reagojmë, jo pa argumente, dhe jo sa për ta mbrojtur figurën e Rexhep Vokës, sepse atë e mbron vepra e tij dhe veprimtaria e bujshme për çështjen shqiptare, jo vetëm si prijës fetar, por edhe publicist, dijetar, organizator i zhdërvjellët dhe patriot, i pakompromis kundër robërisë e prapambetjes nën sundimet e huaja, sidomos nën Perandorinë Osmane, për shkak të qëndrimeve të saj kundër shqiptarëve, identitetit, historisë, gjuhës shqipe dhe shkollës në gjuhën amtare, me veprimet që i ka sjellë dëme të paparashikueshme kombit shqiptar dhe e ka penguar krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, edhe në periudhën kur janë krijuar shtetet tjera ballkanike, me ndihmën e Rusisë dhe të Fuqive të Mëdha evropiane, sidomos në periudhën kur shihej qartë se i kishte ardhur fundi kësaj Perandorie, kur shqiptarët tanimë e kishin krijuar Platformën e rizgjimit kulturor e politik të shqiptarëve, nga ideologët e Rilindjes Kombëtare.

5.

AUTOR I SHPIFJEVE KUNDËR REXHEP VOKËS NUK ËSHTË GAZETARI ARBEN RATKOCERI, KOPJUES DHE INTERPRETUES I KEQ I TYRE, POR AKADEMIKU XHEVAT LLOSHI DHE TË TJERË

I.

Teksti i gazetarit Arben Ratkoceri:

“Tetovari, Rexhep efendi Voka, ishte caktuar Kryetar i Kongresit të Manastirit, e jo përmetari, Mit’hat bej Frashëri. Mirëpo një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep Voka korruptohet nga Osmanët, duke u emëruar (dikund riemëruar) myfti i Vilajetit të Manastirit, hierarku më i lartë fetar. Ai me pas, tenton ta “minoj” punën e Kongresit, madje shkon më tej dhe përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, gjithnjë duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e Osmanëve. Përkundër kësaj, mbajtjen e Kongresit e shpëtuan, para së gjithash konsulli austro-hungarez, Augus Kral, pastaj Qiriazët e Manastirit dhe delegatët e Shkodrës dhe Korçës.

Nga ana tjetër sipas albanologut të shquar shkodran, Tomor Osmani, pas fjalimit të kryetarit të Komisionit të Alfabetit, Gjergj Fishta, qe ka zgjat një orë e gjysëm, një hoxhë nga Shkupi, delegat (nuk permend emrin),.me lot në sy dhe shumë i emocionuar i hidhet në përqafim Fishtës.”

(25 nëntor 2023)

II.

Teksti i Xhevat Lloshit, studiues, profesor, akademik:

“Mit-hat Frashëri nga 31 gushti deri më 1 nëntor i ka shkruar Fehmiut për nevojën e bashkimit dhe për lirimin e Dervish Himës (Ibrahim Naxhiut) nga burgu, domethënë gjatë gjithë asaj kohe nuk ka qenë në Manastir, për pasojë, nuk është marrë drejtpërdrejt me përpilimin e dokumenteve përkatëse. Kjo nuk e përjashton, që kishte ardhur në raste të veçanta. Menjëherë pas themelimit të Klubit, në mesin e shtatorit pasuesit shqiptarë të xhonturqve, si Abdurrahman beu dhe Vehbi efendiu, myftiu i Dibrës, të pakënaqur se nuk ishin ftuar dhe nuk ishin përfaqësuar në Pleqësi, bënë përpjekje për ta përçarë Klubin e Manastirit, madje për ta futur në hullinë myslimane. Për këtë bënë përçapje që të ngrinin një klub të dytë dhe kjo kishte mbështetjen e xhonturqve. Ata thirrën Mit-hat Fdrashërin nga Selaniku për një kompromis, që të shkriheshin dy klubet dhe kjo u arrit më 28 tetor, domethënë në Manastir për këtë kishte ardhur M. Frashëri. Por kompromisi kishte anën e pasme të medaljes: në Pleqësi do të përfshiheshin njerëz besnikë të xhonturqve dhe kështu në krye doli Rexhep Voka. Përçarjen e ka njoftuar edhe konsulli francez më 21 tetor 1908. Anëtarët e vendosur atdhetarë ishin rreth 150 dhe konsulli i ka cilësuar, se “ishin të frynëzuar nga shpirti dhe idetë e pavarësisë”, ndërsa grupi i dytë proosman ndiqte parullën “Shqipëria e shqiptarëve nën flamurin osman”, parullë e cila na kujton diçka të njëjtë 35 vjet më vonë.

E kam cekur edhe më sipër punën e Klubit të Manastirit, megjithatë këtu ka nevojë për një shpjegim rreth emrit të Rexhep Hoxhës (Rexhep Vokës, jo Rexhep Hoxhës, Shënimi im, A.M.), meqë ai del në variantin e parë të Programit të Kongresit.

Rexhep Voka (1847-1917) është përfshirë nga Jorgo Buloja në botimin e dytë të ‘Fjalorit Enciklopedik Shqiptar” (2009) si veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe thuhet se u bë myfti i vilajetit të Manastirit më 1903, kurse kjo datë e gabuar është përsëritur në librin “100 personalitete shqiptare të kulturës islame. Shek. XIX-XX” (2012).

Këtu në kundërshtim të plotë me të vërtetën historike, thuhet: “Duke qenë myfti i Vilajetit të Manastirit, Hoxhë Voka u bë pritësi dhe përkrahësi kryesor i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe ose Kongresit të Manastirit, që u mbajt më 14-22 nëntor 1908. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin drejtuesit kryesorë të këtij kongresi.” Këto pohime janë në kundërshtim edhe me faktet e botuara në shtypin e kohës. Sipas gazetës “Zgjimi i Shqipërisë” (17 dhjetor 1909), kur Klubi përgatiti Thirrjen, Rexhep efendiu nuk ishte afruar me Klubin. Pastaj u bë anëtar bashkë me tre pasues të tij dhe menjëherë, siç e shpjegova, doli si kryetar nga fundi i tetorit.

Atëherë: “… një mbrëma iu treguan gjithë çështjet e gjithë punërat e Klubit, të cilat ishin mbajtur me rregull ndë protokollë të shkruara me shkronja latinisht.” Ma merr mendja se protokollet i kishte mbajtur Gjergji. Kur u përgatit programi, emri i Rexhep efendiut del, sepse nënkuptohej që drejtuesit e Klubit të Manastirit, sipas traditës së njohur shqiptare, do të ishin edhe drejtuesit e kuvendit, meqë ata ishin mikpritësit; ata i kishin ftuar të tjerët në gosti.

Delegatët zgjodhën tjetër kryesi dhe emri i Rexhep efendiut nuk del më gjatë punimeve. Arsyeja ishte se një ditë para hapjes, më 13 nëntor, Rexhep efendiu do të emërohej myfti i vilajetit në Manastir, domethënë hierarku më i lartë fetar me mbështetjen pikërisht të Komitetit xhonturk. Më pastaj emri i tij na del për shkakun e një veprimi të shëmtuar nga ana e tij. Ai përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e xhonturqve. Prandaj me të drejtë dhe me mprehtësi gazeta ka shkruar: “Kongreja u bë dhe zër’i tij a i shokëvet tij nuk u dëgjua të thonë, se duan shkrimin e gjuhës shqipe me shenja arabisht. Përse nuku folë atëherë?” Ka një njoftim në “Shqypeja e Shqypenisë” në numrin 17, 1910, se Rexhep Efendiu “e ka njoh fajin për gabimin që boni për shtypjen e abetarit me shkronja arabçe dhe u pendue.” Rexhep Voka ishte nga Shipkovica e Tetovës dhe është pikërisht ai hoxha, që përshkruhet nga A. Krali më 15 korrik 1900, se kishte shkuar në depozitën e Manastirit, ku nga Kristo Qiriazi kishte mësuar të lexonte shqip edhe librat, përkthime të protestantëve.

Nuk mbeten dyshime, se ishte Gjergj Qiriazi që do të bënte gjithë gatitë. A. Sina, në një letër për Th. R. Hoxhsonin (2 shtator 1908) ka shkruar qartë, se Gj. Qiriazi ishte njeriu kryesor, që i kishte mjetet për të thirrur një mbledhje të përgjithshme: “Z. Gj. D. Qiriazi, z. Kral dhe abati i Mirditës janë të vetmit persona, që i kanë mjetet për të thirrur një konferencë, e cila mund të vendoste për një alfabet të përgjithshëm dhe të përbashkët”. Dokumentet i mbështesin këto fjalë dhe tregojnë edhe financimin vendimtar nga ana e A. Kralit.

Nga ana tjetër, ky pohim tingëllon edhe në letrën për Th. Hodgson-in të 4 shtatorit 1908, në të cilën Gjergji ka shkruar: “Pjesëtarët e bashkësisë shqiptare nuk janë njerëz të penës, prandaj kjo më bënte përgjegjës për të rregulluar gjërat më të nevojshme në lidhje me çështjen shqiptare, si për gjuhën, shkollat, shtypshkronjën etj.” Edhe kryetari i Klubit, veprimtari i shquar rilindës deri edhe drejtues gazete, Fehim Zavalani, nuk na ka lënë ndonjë trashëgimi të njohur si autor, si letrar, por ishte bashkorganizatori kryesor, ndonëse A. Sina nuk e ka zënë në gojë.”

*Xhevat Lloshi, Rreth alfabetit të shqipes, Logos A, Shkup 2008.

Sqarime plotësuese në lidhje me këtë tekst do të japim në vazhdimet e radhës të reagimit tonë.

Vazhdon…

(11 dhjetor 2023)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments