11.5 C
Tetovo
E enjte, 15 Maj, 2025
BallinaLajmeAkademik Prof.Dr.Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS...

Akademik Prof.Dr.Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS SË RILINDËSIT REXHEP VOKA? (II)

Dëshmi pararendëse:

1.

“Kongresin e Manastirit e shpalli të hapur Myftiu i Manastirit, që ishte me origjinë nga Tetova, Rexhep Efendi Voka. Fjalimi i tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Ky fjalim ishte një lloj besatimi që Myftiu i Manastirit kërkoi nga të pranishmit, që të gjitha vendimet e këtij kongresi duhen pranuar nga populli shqiptar. Të pranishmit gjithnjë dhe pa përjashtime bënë betimin se do t’i pranonin të gjitha vendimet e Kongresit.” (Raporti i Agjencisë bullgare nga Manastiri dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Besimeve në Sofje, me datë 12 nëntor 1908)

2.

Në kohën kur janë bërë përgatitjet për Kongresin e Manastirit, si pjesë e Platformës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kryeministër (me pushtet më jetëgjatë) i Perandorisë Osmane ka qenë Ferit Vlora (pasha), mik i Rexhep Vokës, i cili për nderim të dijetarit të madh nga Shipkovica e Tetovës, kryeveziri shqiptar e pagëzoi djalin e vet me emrin e babait të Rexhep Nuredin Vokës: Nuredin (Tefik Vlora).

3.

Mulla Jahja Sadiku, ish-sekretar i Vilajetit të Manastirit në periudhën kur Rexhep Voka ishte kryemyfti i atij vilajeti, ja çfarë tha në Tiranë, në vitin 1943: “Edhe ne kemi punue për vatanin tonë, për Shqipëri, bile në atë kohë kur fjala Shqipëri nuk mund të dilte nga goja se ta pritshin gjuhën” (Vebi Bexheti). Në kohën kur ka punuar dhe vepruar Rexhep Voka për kombin shqiptar dhe Shqipërinë, për gjuhën shqipe dhe arsimin kombëtar, vërtet të PRITEJ GJUHA, nga regjimet sunduese të kohës, sidomos nga okupatorët serbë e bullgare, pas vitit 1913). Mulla Jahja Sadiku, më 1952, në moshën 70 vjeçare u dënua me burg të rëndë nga regjimi komunist jugosllav, si frymëzues dhe pjesëtar i organizatës së fshehtë politike atdhetare LIRIA, bashkë me Sadudin Gjurën dhe atdhetarë të tjerë, drejtues dhe pjesëtarë të organizatës, shumica e tyre nga Shipkovica e Tetovës.

Në vitin 1943, Mulla Jahja Sadiku ua dorëzoi një arkë me dokumente të çmuara, autoriteteve në Tiranë, mes tyre edhe veprat e Rexhep Vokës, por fati i mëvonshëm i tyre nuk dihet, përveç një shkrimi për veprën “Mendime” të Rexhep Vokës, të botuar në revistën “Shkolla Shqipe”, që dilte atëkohë në Tiranë.

(Shih: “Në Revistën pedagogjike ,,Shkolla shqipe”, nr. 56,57 të vitit 1943, që dilte në Tiranë, është botuar një shkrim për Rexhep Vokën dhe veprën e tij më të rëndësishme “Mendime”. Autori i këtij artikulli është vet redaktori i Revistës, Abdi Kerçini.”

– Prof. dr. Vebi Bexheti, Çka i tha Mulla Jahja Sadiku i Shipkovicës, Abdi Kërçinit për Rexhep Vokën dhe veprën e tij “Mendime”)

* * *

Reagim me sqarime në mbrojtje të së vërtetës (II)

Me shkas, pamfleti i autorit

Arben Ratkoceri

“Tetovari, Rexhep efendi Voka, ishte caktuar Kryetar i Kongresit të Manastirit, e jo përmetari, Mit’hat bej Frashëri. Mirëpo një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep Voka korruptohet nga Osmanët, duke u emëruar (dikund riemëruar) myfti i Vilajetit të Manastirit, hierarku më i lartë fetar. Ai me pas, tenton ta “minoj” punën e Kongresit, madje shkon më tej dhe përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, gjithnjë duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e Osmanëve. Përkundër kësaj, mbajtjen e Kongresit e shpëtuan, para së gjithash konsulli austro-hungarez, Augus Kral, pastaj Qiriazët e Manastirit dhe delegatët e Shkodrës dhe Korçës.

Nga ana tjetër sipas albanologut të shquar shkodran, Tomor Osmani, pas fjalimit të kryetarit të Komisionit të Alfabetit, Gjergj Fishta, qe ka zgjat një orë e gjysëm, një hoxhë nga Shkupi, delegat (nuk permend emrin),.me lot në sy dhe shumë i emocionuar i hidhet në përqafim Fishtës.”

(25 nëntor 2023)

* * *

Reagim me sqarime, për autorin e pamfletit dhe opinionin lexues

FRYMA PROPAGANDUESE E NJË PAMFLETI PËR DENIGRIMIN E FIGURËS SË REXHEP VOKËS DHE JO VETËM

2.

Në disa vazhdime, jam i detyruar të jap sqarime, pse është publikuar ky shkrim (pamflet), kujt i shërben dhe pse kjo çështje aktualizohet disa herë radhazi vetëm gjatë muajit nëntor, kur shqiptarët i përkujtojnë dhe festojnë ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit tonë, Kongresin e Manastirit (1908) – Dita e njësimit të Abecesë së Gjuhës Shqipe (1908) dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë (1912).

Çfarë thuhet në këtë pamflet, sipas supozimeve të autorit të tij dhe cila është e vërteta:

Arben Ratkoceri

“1. Tetovari, Rexhep efendi Voka, ishte caktuar Kryetar i Kongresit të Manastirit, e jo përmetari, Mit’hat bej Frashëri.”

Sqarimi ynë:

Pavarësisht se, përmes kësaj teze autori pretendon ta shpalos një të vërtetë të fshehur deri më sot, mënyra se si është shkruar nuk e nënkupton këtë qëllim, por në mënyrë të përgjithësuar i rikthen në skenë pretendimet e huaja për thellimin e përçarjeve ndër shqiptarët gjatë asaj periudhe, mbi baza rajonale dhe krahinore, për qëllime kryesisht ideologjike. E para, se Rexhep Voka ka qenë një figurë e shquar jo vetëm fetare, kryemyfti i Vilajetit të Manastirit, me dhjetëra qytete dhe afër 2200 katunde, pjesë të vilajetit më të madh shqiptar të asaj kohe, ai ka qenë edhe veprimtar politik, tribun popullor, organizator dhe pjesëmarrës në kongreset dhe tubimet më të rëndësishme me karakter kombëtar. Rexhep Voka, si i tillë, nuk mund të thuhet se ka qenë vetëm tetovar, por një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi. Kundërvënia e kësaj figure, “tetovarit” Rexhep Voka, përballë “përmetarit” Mit’hat Frashëri, me të cilin i kanë bashkërenduar aktivitetet, jo vetëm në Kongresin e Manastirit, sikurse me të gjithë patriotët e asaj kohe, kjo nuk është thënë me qëllim të mirë në këtë rast. Pse nuk thuhet me këtë rast edhe burimi, nga mund të kuptohet se cili ka qenë roli i Rexhep Vokës në këtë Kongres, sipas Raportit të agjencisë bullgare nga Manastiri, me datë 12 nëntor 1908, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Besimeve në Sofje, fleta. 5-10, (Centralen Derzhaven Istoriceski Arhiv (CDIA), Shih, Dokumente bullgare (sipas përkthimeve që ndodhen në AIHT), H-25.), ku mes tjerash thuhet: “Kongresin e ka shpallur të hapur Myftiu i Manastirit, por që ishte me origjinë nga Tetova, Rexhep Efendi Voka dhe fjalimi i tij ishte ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Pra, ky fjalim ishte një lloj besatimi që Myftiu i Manastirit kërkoi nga të pranishmit që të gjitha vendimet e këtij kongresi duhen pranuar nga populli ynë, shqiptarët, thuhet në raport. Të pranishmit gjithmonë sipas raportit, bënë betimin se do t’i pranonin të gjitha vendimet e Kongresit.”

“2. Mirëpo një ditë para hapjes, më 13 nëntor 1908, Rexhep Voka korruptohet nga Osmanët, duke u emëruar (dikund riemëruar) myfti i Vilajetit të Manastirit, hierarku më i lartë fetar.”

Sqarimi ynë:

Kongresi i Manastirit nuk është hapur më 14 nëntor, siç thotë autori i pamfletit, dhe as ka ndonjë dëshmi se Rexhep Voka është korruptuar nga pushteti Osman, siç do të sqarojmë në pjesët e ardhshme të këtij reagimi, sepse ai ishte autoritet i lartë, për funksionin të cilin e ka mbajtur, është dashur të posedojë cilësi të larta morale dhe profesionale. Në këtë pamflet thuhet se ky korruptim lidhet me emërimin (ose riemërimin) e Rexhep Vokës myfti i Vilajetit të Manastirit, ndërsa këtë funksion ai e kishte ushtruar që nga viti 1903. Nuk ka asnjë dëshmi më të vogël, as në shtypin propagandues dhe dokumentet zyrtare të Perndorisë, as të shteteve fqinje, me prirje armiqësore kundër shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre për Pavarësi. Rexhep Voka nuk ka pasur asnjë pasuri të veten, as shtëpi në vendlindje, as pallate, prona, siç kanë pasur shumë pashallarë, bejlerë e agallarë, bartës të funksioneve politike dhe fetare gjatë asaj kohe, siç kanë pasur shumë të tjerë, në Manastir, Selanik, Stamboll, apo në qytetet e tyre të lindjes. Jo vetëm nga “korruptimi” i Rexhep Vokës, por nga e gjithë familja e tij, kanë mbetur vetëm një gur në malet e Shipkovicës, që edhe sot e mban emrin e babait të tij: “Guri i Nuredin Vokës” dhe Bjeshka e Shipkovicës, me tapi të blerë nga Sulltani, me florinjtë e mbledhur të banorëve të katundit Shipkovicë, e njohur dhe dokumentuar (edhe në harta) si “Bjeshka e Ali Vokës”, sipas emrit të xhaxhait të Rexhep Vokës, Ali Vokës, i cili e kishte blerë këtë tapi në Stamboll. Nga ky “korruptim” i shpifur për Rexhep Vokën, si dhe “dashamirësinë” e pushtetit Osman të kohës ndaj tij, familja e tij nuk kanë trashëguar asgjë (edhe sot nuk dihet asgjë për fatin e dy djemve dhe një vajze të Rexhep Vokës të mbetur në Stamboll). Përkundrazi, këtij rilindësi edhe sot e kësaj dite nuk dihet se ku e ka varrin, meqë ka vdekur në rrethana të panjohura. Disa thonë se ka vdekur në njërin nga tregjet e Stamboll, si shitës i luleve dhe perimeve, ndërsa disa të afërt të tij kanë dyshuar se Rexhep Voka është likuiduar (masakruar) nga komitët bullgarë, diku rrethinat e Shkupit e Kumanovës, gjatë aktiviteteve të tij për organizimin e një kryengritje kundër okupimit të trojeve shqiptare nga pushtuesit serbë e bullgarë, nga vitet 1913 -1917, kur besohet se ka ndërruar jetë. Sidoqoftë, fati i këtij dijetari dhe atdhetari mbetet sikurse edhe fati i dijetarëve e atdhetarëve të tjerë shqiptarë, të cilëve nuk u dihen as varret, sikurse Pjetër Bogdanit, Josif Bagerit e dhjetëra të tjerëve, luftëtarë të pa kompromis për lirinë e kombit e atdheut.

“3. Ai me pas, tenton ta “minoj” punën e Kongresit, madje shkon më tej dhe përgatiti dhe përhapi një abetare të shqipes me shkronja arabe, si dhe dy broshura të tjera, gjithnjë duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e Osmanëve.”

Sqarimi ynë:

Teza më palogjikshme e këtij pamfleti, siç thuhet “tentoi ta minojë punën e Kongresit”, përderisa dihet që, plani dhe strategjia e përgatitur mirë, si për organizimin e Kongresit të Manastirit, Kongresit të Dibrës, Kongresit të Elbasanit, deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, kanë një vazhdimësi, që nga Kongresi i Bukureshtit, me Kongresin (tubimi gjithëkombëtar) e Ferizajit, me përmbysjen e pushtetit të Sulltan Abdylhamitit II, deri në kryengritjet e mëdha shqiptare të viteve 1911-1912 dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në muajin gusht në Shkup dhe më vonë, në Vlorë (Durrës) në muajin nëntor.

Faktet që përmenden për arsyetimin e kësaj teze të paqëndrueshme, kinse “përhapja e një abetare me shkronja arabe*, si dhe dy broshura të tjera”, kinse “gjithnjë duke pasur nxitjen dhe mbështetjen e Osmanëve”, janë shpifje ordinere, mohim i fakteve historike, të pavërteta, me të cilat mund të argëtohen edhe sot, ata që nuk kanë as njohuri elementare nga Veprimtaria e Rexhep Vokës, ose janë në shërbim të propagandave të huaja që kanë hedhur shtat në trojet shqiptare gjatë viteve të fundit. në shërbim të ringjalljes së idesë ekspansioniste, për rikthimin e Perandorisë Osmane në trojet shqiptare dhe në Evropë, në variantin më tragjik të saj, përmes Islamizmit politik, kryesisht me orientim Persian dhe rusomadh, që nuk i shërben sot e në të ardhmen, as popullit turk, as shqiptarëve dhe popujve të tjerë në rajon, as Turqisë dhe as Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe viseve të tjera shqiptare. Lexuesit e ndërgjegjshëm, mjafton ta lexojnë njëherë veprën programatike të Rexhep Vokës “Mendime”, që të binden se çfarë pretendohet nga autori i pamfletit, në lidhje me denigrimin e figurës së Rexhep Vokës. Në lidhje me “abetaren e shqipes me shkronja arabe”, do të japim sqarime të nevojshme në shkrimet e radhës, pjesë të këtij reagimi.

“4. Përkundër kësaj, mbajtjen e Kongresit e shpëtuan, para së gjithash konsulli austro-hungarez, Augus Kral, pastaj Qiriazët e Manastirit dhe delegatët e Shkodrës dhe Korçës.”

Sqarimi ynë:

Teza kinse mbajtjen e Kongresit të Manastirit, përkundër “tradhtisë” së supozuar nga Rexhep Voka dhe armiqtë tjerë të pretenduar (me përkatësi islame), kinse e paskan shpëtuar konsulli i Austro-Hungarisë, Augus Kral, pastaj Qiriazët, dhe delegatët e Shkodrës dhe Korçës, është edhe një shpifje tjetër e madhe, me synime të aktualizimit të përçarjeve fetare mes shqiptarëve në atë kohë, që i demantojnë katërçipërisht puna dhe rezultatet e arritura së bashku në Kongresin e Manastirit, kongreset tjera dhe vetë akti i shpalljes së Pavarësisë, kur shqiptarët kanë qenë bashkë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, islame, ortodokse dhe katolike, një pjesë e tyre edhe protestantë e bektashinj. E para që duhet të sqarohet me këtë rast, është fakti se organizatorë të Kongresit kanë qenë personalitetet nga Manastiri, me përkatësi fetare islame, ata që u kanë bërë thirrje edhe shkodranëve e korçarëve, edhe konsullit austro-hungarez, dhe ata nuk kanë mundur ta shpëtojnë punën e Kongresit, përderisa kanë qenë të ftuar, jo organizatorë të Kongresit, siç kanë qenë Rexhep Voka, Fehim Zavalani, Gjergj Qiriazi, Parashqevi Qiriazi etj., këta dy të fundit duke qenë në frymën e shkollës protestante amerikane në Stamboll, e lejuar nga autoritetet e Perandorisë, jo nga qarqet fetare të shteteve fqinje, greke, bullgare, serbe apo ruse. Pavarësisht nga roli pozitiv i Perandorisë Austro-Hungareze në përkrahjen e lëvizjes kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar, ky rol për “shpëtimin e Kongresit të Manastirit” nuk mund t’i përshkruhet konsullit të atëhershëm austro-hungarez, Augus Kral, pa e njohur në hollësi rolin e tij, pa pasur parasysh lidhjet e tij të fshehta me Francën dhe Rusinë, sidomos nga prejardhja e tij e njëjtë me dy personalitete të tjerë, Frantishek Zahun dhe Karl Shkorpilin, me përkatësi sllave nga Moravia e Çekisë, të cilët i kanë sjellë dëme të parashikueshme çështjes shqiptare, për interesa të Serbisë përmes Francës dhe të Bullgarisë përmes Rusisë, në frymën e planit sekret të tyre “Naçertania”. Në fund të fundit, është tepër naive dhe qëllimkeqe të pretendohet se një abetare dhe disa broshura kanë mundur ta rrezikojnë një projekt madhështor, të përgatitur me shumë kujdes e strategji, siç ka qenë Kongresi e Manastirit, për përmasat e të cilit ende nuk janë thënë të gjitha që është dashur të thuhen deri më sot.

“5. Nga ana tjetër sipas albanologut të shquar shkodran, Tomor Osmani, pas fjalimit të kryetarit të Komisionit të Alfabetit, Gjergj Fishta, qe ka zgjat një orë e gjysmë, një hoxhë nga Shkupi, delegat (nuk përmend emrin), me lot në sy dhe shumë i emocionuar i hidhet në përqafim Fishtës.”

Sqarimi ynë:

Dhe së fundmi, me qëllim të kamuflimit të tezave të mëparshme të këtij pamfleti, kinse për t’i dhënë ngjyra kombëtare e dashamirëve, përmendet rasti i përqafimit të Gjergj Fishtës nga një hoxhë i Shkupit (Ibrahim Shkupit), emri i të cilit nuk përmendet në këtë pamflet, që si akt krijon përshtypjen sikur nga aty fillon dashuria mes krerëve shqiptarë me besime të ndryshme fetare, për ta dëshmuar kinse “tradhtinë” e një personaliteti të madh si Rexhep Voka, me një akt emocionues, si ky i Hafiz Ibrahim Shkupit. Me këtë rast, duhet të përmendim se, pikërisht me këtë emër (Hafiz Ibrahim Shkupin) lidhet një dëshmi për disa burime financiare për nevojat e Kongresit të Manstirit, që nuk kanë asnjë lidhje me Rexhep Vokën, ku thuhet se: “Nga shënimet që janë gjetur në mesin e librave të Afmet Hoxhës (babai i orientalistit Hasan Kaleshi nga Kërçva), i cili në pleqëri u shpërngul në Turqi ku edhe ndërroi jetë. Në fund të një letre të gjetur mes librave të tij thuhet se, të hollat janë marrë hua nga “Osmanli Tucaret bankasi”, dedikur si ndihmë tubimit (Kongresit) që do të mbajnë shqiptarët në Manastir, dhe se të hollat i dorëzohen Hafiz Ibrahim Efendi Shkupit, e që ai pastaj t’ia dorëzojë Fehim Zavalanit në Manastir.” Por, me asnjë dëshmi nuk është konstatuar se paratë kanë përfunduar në duart e Fehim Zavalanit. Për Hafiz Ibrahim Shkupin thuhet se ka qenë në studime në Stamboll, dhe pasi kthehet në Shkup, diku para vitit 1908, emërohet antar i kryesisë së klubit të Shkupit, dhe ka qenë përfaqësues i këtij klubi në Kongresin e Manastirit. Ai, “i veshur në uniformë të hoxhës, del para delegatëve dhe e përqafon Gjergj Fishtën, duke lënë të kuptohet se shqiptarët e besimit islam nuk kanë qenë kundër alfabet latin, i përshtatur të pranohet si alfabet i shqipes.”

(9 dhjetor 2023)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments