Lidhja Europiane për Ndryshim përmes një komunikate thekson se më 9 maj nuk do të kremtohet vetëm Dita e Evropës dhe fitorja kundër fashizmit, por edhe fitorja siç shprehen nga LEN, kundër këtij regjimi të korruptuar antieuropian dhe antiqytetar,
“Ndonëse pa praninë tonë u dakordua edhe data e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Megjithëse kërkesa jonë ishte që ato të mbahen në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 28 prill, qenka vendosur që ato të mbahen në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, më 8 maj 2024. Në të vërtetë, kjo datë edhe nuk përbën problem të madh për ne, por është jashtëzakonisht e rëndësishme që tash të plotësohet përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, për çfarë ne do të insistojmë dhe nuk do të heqim dorë për asnjë çmim. Me këtë rast Lidhja Europiane për Ndryshim dëshiron të theksojë se caktimi i zgjedhjeve është edhe pranimi i humbjes së këtij pushteti antiqytetar. Ata më në fund u dorëzuan dhe e kanë pranuar fundin. Pas këtyre zgedhjeve, pra më 9 maj të vitit 2024, nuk do të kremtohet vetëm Dita e Europës dhe fitorja kundër fashizmit, por kjo ditë do të jetë festë e fitores edhe kundër këtij regjimi të korruptuar, antieuropian dhe antiqytetar”, thuhet në njoftimin e LEN, nga ku u bëjnë thirrje qytetarëve të rrinë të qetë sepse ka ardhur koha që BDI-në ta dërgojnë në pension.
“Në frymë të këtij vendimi, u bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, por edhe të mobilizuar, sepse ashtu siç e dërguam në pension politik dhe në syrgjyn Nikolla Gruevskin më 2016, ka ardhur koha që ta pensionojmë edhe pjesën e dytë të këtij regjimi – Bashkimin Demokratik për Integrim, që tashmë është bërë i njohur si pronar i kazinove dhe lojërave të fatit, të cilat megjithatë në këto zgjedhje nuk do t’i sjellin fat, por vetëm kob”, thuhet në njoftimin e LEN-it.