Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ka mbajtur fjalim në hapjen e Këshillit të 30-të ministror të OSBE-së që mbahet në Shkup.
Kovaçevski fjalimin e tij e nisi duke përmendur agresionin rus në Ukrainë, duke bërë thirrje për ndërprerje të luftës. Ai tha se me agresionin rus janë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare dhe vlerat humane.
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është shkelje e çdo konvente ndërkobëtare. Çdo ditë e kaluar tregon se agresioni ushtarak nuk është zgjidhje. Lufta në Ukrainë duhet të ndalojë sa më parë”, tha mes tjerash Kovaçevski
Ai gjithashtu përmendi edhe tensionet në vendet e rajonit, nduke bërë thirrje që të lihen anash agjendat nacionaliste.
Kovaçevski theksoi se ngjarja e sotme në Shkup është kulminacioni i udhëheqjes së RMV-së me OSBE-në.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut është nikoqire e Këshillit të 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, ku marrin pjesë rreth 1000 delegatë nga 57 vende anëtare të Organizatës dhe vende partnere.
Në kuadër të Këshillit të Ministrave do të zhvillohen edhe disa ngjarje tematike të ndërlidhura, duke përfshirë nënshkrimin e Deklaratës për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronës dhe përdorimit të digjitalizimit, për të cilën përveç ministrit Osmani, nënshkrimet do të jenë edhe ministrat për punët e jashtme të Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, Ivica Daçiq, Elmedin Konakoviq, Filip Ivanoviq dhe Igli Hasani.