K U R B E T I
Nga LONI LOGORI
(1871 – 1929)
Sa kemi marë kurbenë,
Dhe sa kaptuam denë,
Në vënde të largët vamë,
Edhe dhé të huaj pamë,
E, kush ka mbetur, pa qarë?
Kush ka parë dit’ të mirë,
Përveç se me fat të nxirë?
At, motër, vëlla, mëmë,
Që të gjithë i kemi lënë.
Male pyje kemi shkuar,
Pak ar për të fituar.
Po, ar as që fitojmë,
Dhe larg të dashurve rrojmë,
Po, heqim shumë dobëti
Me mundim dhe lebeti.
Gazet, lodrat gjithë shkuan,
Para neve u mbuluan.
Humbëm ditët që mblidheshim,
Këndonim, losnim, hidheshim;
Humbi më ajo lëndina,
Kur shikonin pleqësia,
Hidheshim si çilimia,
Pa mejtim nga varfëria.
Porsa Djelli perëndonte,
Nata cipënë lëshonte,
Që të gjithë me një fjalë,
Ngriheshim dal’ e ngadalë
Edhe prapë të gjithë tok,
Gjithkush me të tijnë shok.
Ndaheshim nëpër shtëpitë,
Duke kënduar trimëritë.
Ata, ata kanë hirë
Dhe atje janë fatmirë!
Matanë detit këndojnë,
Më kët’ anë po punojnë.
Matanë gjithë të gëzohen,
Më kët’ anë të dobëtohen.
Veç për ne qajnë matanë,
Neve qajmë për paranë.
Një zë vjen na vërshëllen;
“Mblidh ar!”, thotë, dhe na pëlqen.
Me vrap ngrihemi dhe shojmë,
Shira, breshër nuk shikojmë;
Asgjë nuk nxjerrim në shesh,
Se fati me ne përqesh,
Dhe më s’bëjmë prokopi,
Puna jonë bëhet hi.
O ëngjëll i pabesisë,
Ç’i ke bërë njerëzisë?
Sa nga rrënja i ke thyer,
Sa djem, sa burra gënjyer?
Me një qeskë gënjeshtare
I ke rëmbyer për fare
Dhe lark i ke arratisur,
Të coptuar e të grisur.
Si lum ay njëqint herë,
Cili s’pi prej atij vrer,
Vrer q’e derdh, lakmimi shkon,
Zëmrën ngadal’ ja helmon.
Lum ay që s’di kurbet,
Veç arën, vreshtën e vet.
Pa shiko si qesh fshatari,
Se shikon që ju rrit bari!
Mbi sup ka hedhur prashajkën (shatin)
Dhe, si rëmihu tërë ditën,
Me gas dhe duke kënduar,
Vete gjen fëmijën shtruar,
Të cilët presin ta gëzojnë,
Po, dhe ata i gjen, këndojnë.
Mbledhur gjithë rrotull vatrës,
Edhe ja kërcasin këngës.
Të gjithë kur vënë darkën,
Sa me shije e hanë bukën!
Dhe së ngrëni kur mbarojnë,
Do të rrinë të këndojnë,
Me këngë në gojë bien,
Me këngë në gojë ngrihen.
LONI LOGORI – poet patriot I Rilindjes sonë kombëtare. Lindi në Korçë më 1871. Që në vogëli u mërGua në egjypt, ku bashkë me Çajupin, F. Shirokën e të tjerë u shqua ndër figurat kryesore të shoqërisë patriotike të atjeshme. U bë i pasur, po qe i gatshëm dhe i papërtuar për të ndihmuar lëvizjen patrotike shqiptare. Si para ashtu edhe pas shpalljes së Pavarësisë ai erdhi në Atdhe, sa herë që e pa të nevojshme të marrë pjesë në jetën e brendshme politike të vednit, derisa në fillim të viteve ’20 e braktisi fare Egjyptin e u vendos për gjithnjë në Durrës, për të jetuar në Atdheun e lirë, ku vdiq më 1929.
Loni Logori u bë i njohur si poet edhe me ato pak poezi patriotike origjinale mjaft të frymëzuara, si “S’na njhu njeri”, “Një sulm për Shqipërinë”, “Papa Kriston na e vranë”, “Spiro Kosturit”, “Ylli i Shqipërisë”, S’paska si Shqipëria” etj; por dhe me këngët erotike sentimentale, por të qëlluara: “Vemë”, “Çelu, çelu”, etj që përktheu e i përshtati, si dhe ndonjë tjetër origjinale, si “Drenovares”, të vëna në muzikë modern, të cilat patën një përhapje shumë të madhe në shtrsat qytetare.
Shkëputur prej “Antologji e poezisë shqipe të Rilindjes”, Tiranë, 1962, f.86-87
Përzgjodhi Dilaver Goxhaj