Nuk ka zgjidhje për bulevardin “Bllagoja Toska”. Numri i aksidenteve sa vjen e rritet, ndërsa deri më tani nuk janë vendosur as semaforë dhe as nuk është bërë rrethrrotullim, në pikën ku bulevardi puqet me rrugën “29 nëntori”. Këtu thuajse çdo javë shkaktohen së paku 2 aksidente. Kreu i Komunës Bilall Kasami tha se lëshimi i bulevardit është bërë duke respektuar të gjitha procedurat, duke hedhur poshtë kështu akuzat e SPB Tetovë se “Bllagoja Toska” është lëshuar në përdorim pa pëlqimin e policisë.
“Rrugët e Tetovës janë të bllokuara dhe kjo është përgjegjësi e komunikacionit. SPB duhet të merret me punët e veta dhe jo me çështje politike. Bulevardi “Bllagoja Toska” është lëshuar në bazë të të gjitha standardeve dhe të gjitha dokumenteve. Sa i përket kryqëzimit që është problematik aty ka sinjalizim adekuat. Çështja e semaforëve është procedurë tjetër dhe është një sinjalisitkë shtesë që ka të bëjë me rregullimin e komunikacionit. Por aty ka sinjalistikë adekuate konform rrugëve që janë në atë kryqëzim. Nuk qëndron aty që është lëshuar pa leje adekuate përkundrazi, nëse ka aksidente të shtuara, policia duhet të rrisë prezencën aty që të ndalë dhe të zvogëloj rrezikshmërinë e jetës së qytetarëve. Por për shkak se ata nuk e bëjnë punën e tyre, merren me deklarata politike. Sigurisht se kur u lëshua në përdorim si bulevard, janë respektuar të gjitha procedurat ligjore”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Por nga Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës mbetet në qëndrimin se bulevardi Toska është lëshuar në përdorim pa pëlqimin e tyre. Zëdhënësi Fatmir Rexhepi thotë madje se SPB Tetovë ka dërguar lëndë në prokurori për lëshimin pa leje të këtij bulevardi. Rexhepi gjithashtu tregon se përmes njoftimit zyrtar, policia e Tetovës e ka njoftuar Komunën se ka bërë shkelje dhe se nuk i ka respektuar procedurat.
“Sa i përket kohës kur është lëshuar në përdorim dhe është ndryshuar regjimi në bulevardin “Bllagoja Toska” në rrugën që kryqëzohet me rrugën “29 nëntori” me “Vëllezërit Milladinov”, kur e kanë lëshuar në përdorim e ka bërë pa pëlqim të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, për këtë arsye Sektori për Punë të Brendshme ka dërguar parashtresë përkatëse në Prokurorinë Publike në lidhje me ndryshimin e regjimit të trafikut në bulevardin “Bllagoja Toska” pa marr pëlqim nga SPB Tetovë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i policisë së Tetovës.
Në Tetovë për vetëm 10 muaj janë bërë 335 aksidente, duke mos futur aksidentet ku të përfshirët kanë bërë marrëveshje sipas sistemit europian.