Sipas njoftimit të qeverisë, Kovaçevski është kryeministri i parë nga Maqedonia e Veriut që i drejtohet UNESCO-s, pas anëtarësimit 30-vjeçar të Maqedonisë së Veriut në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në UNESCO, ka folur në margjinat e Konferencës së Përgjithshme të 42-të të Organizatës, e cila po mbahet në selinë e UNESCO-s në Paris, raporton Anadolu.
Sipas njoftimit të qeverisë, Kovaçevski është kryeministri i parë nga Maqedonia e Veriut që i drejtohet UNESCO-s, pas anëtarësimit 30-vjeçar të Maqedonisë së Veriut në Organizatën e OKB-së për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
“Është nder i madh të jem kryeministër i parë nga Republika e Maqedonisë së Veriut që do të mbaj fjalim nga kjo foltore. Kënaqësia është edhe më e madhe që ky adresim po ndodh në vitin kur si shtet i pavarur po shënojmë tridhjetë vjet anëtarësim në UNESCO”, tha Kovaçevski, i cili foli në gjuhën maqedonase.
Ai theksoi se bashkëpunimi i tyre me UNESCO-n daton që nga viti 1979 dhe 1980, kur rajoni i Ohrit hyri nën mbrojtjen e UNESCO-s, i cili është një nga 39 objektet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në botë.
Sipas tij, është e domosdoshme që ata të ruajnë integritetin dhe autenticitetin e rajonit të Ohrit, në bashkëpunim me Qendrën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe së bashku me Shqipërinë, të jenë shembull i bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë në mbrojtjen e kësaj të mire të përbashkët dhe universale.
“Në seancën e 45-të të mbajtur në shtator, Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s shqyrtoi Raportin për gjendjen me mbrojtjen e trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit dhe mori një vendim me të cilin Komiteti respekton përpjekjet tona të përbashkëta, por gjithashtu edhe përgjegjësinë për Liqenin e Ohrit dhe trashëgiminë e pasur kulturore për të ruajtur statusin prestigjioz të trashëgimisë botërore”, shtoi ai.
Kovaçevski tha se UNESCO në 78 vitet e fundit ka kontribuar në ndërtimin e kulturës së paqes, në zhdukjen e varfërisë, në zhvillimin e qëndrueshëm dhe veçanërisht në dialogun ndërkulturor.
“Ju rikujtoj këto vlera, sepse sot, kur lufta në Evropë dhe Lindjen e Mesme, dhe kur normat dhe rregullat e rendit ndërkombëtar shkelen në mënyrë flagrante, ne kemi nevojë për to më shumë se kurrë më parë! Vizioni moral i përkthyer në një multilateralizëm edhe më të prekshëm dhe efektiv, i cili gjithmonë dhe kudo do të kundërshtojë strukturat e pabarazisë, padrejtësive dhe çdo forme të racizmit!”, theksoi Kovaçevski.
Ndër të tjera, kryeministri i Maqedonisë së Veriut theksoi se sistemi demokratik i vlerave është nën kërcënim serioz dhe se asnjë vend, sado i fuqishëm dhe i fortë të jetë, nuk mund të përballet i vetëm me sfidat e sotme globale.
Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të jetë aktive në forcimin e multilateralizmit, në të gjitha organizatat ndërkombëtare ku është anëtare, e veçanërisht në UNESCO.
“Ne do të vazhdojmë të tregojmë se nga një përfitues i aranzhimeve të sigurisë tridhjetë vjet më parë, tani jemi gjenerues i sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, dhe promovues i kulturës së dialogut”, shtoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut.