4.6 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeForcimi i lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Kinën për ta fuqizuar...

Forcimi i lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Kinën për ta fuqizuar pozicionin negociues me Kosovën

Pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për ta shkëputur nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës, Serbia po vazhdon të kultivojë marrëdhënie të forta me shtetet aziatike që nuk ia njohin shtetësinë Kosovës. Presidenti i Serbisë ditëve në vijim pritet të nënshkruajë disa marrëveshje tregtare në Pekin, kohën kur BE-ja konsideron se janë dëmtuar raportet me shtetin komunist. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Serbia preferon një rend botëror shumëpolar, sepse kjo i mundëson asaj të përfitojë nga rivalitetet midis fuqive globale, por edhe ta fuqizojë pozicionin negociues në raport me Kosovën.

Kohën kur Bashkimi Evropian konsideron se marrëdhëniet me Kinën janë dëmtuar në aspektin politik dhe ekonomik, fqinji verior synon forcimin e lidhjeve shtetërore me shtetin komunist.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka nisur një vizitë zyrtare në Kinë, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje për fuqizimin e lidhjeve tregtare.

Serbia po vazhdon t’i ruajë lidhjet me Kinën e Rusinë, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për ta shkëputur atë nga ndikimi i tyre.

Nga Pekini, presidenti serb ka folur edhe për situatën në Kosovë duke përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri.

“Unë kurrë nuk e detyroj askënd, as nuk mund ta bëj këtë, as nuk jam pronar i jetës dhe i së ardhmes së tyre. Thashë se mendoj se rrethanat kanë ndryshuar, se do të ishte mirë të mendonin, dhe këtë po ua kërkoj”, tha Vuçiq.

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Serbia tradicionalisht ka preferuar një rend botëror shumëpolar.

“Serbia po ruan marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe Kinën gjithashtu për të siguruar që pozicioni i saj i negociatave në lidhje me Kosovën të mbetet relativisht i fortë dhe se mund të ndikojë në politikën e SHBA-së për Kosovën.

Deri më tani për komunitetin euroatlantik, Serbia është një nga hallkat më të dobëta në sigurinë evropiane dhe si e tillë paraqet një kërcënim potencial për sigurinë dhe interesin e saj strategjik. Pra, ka ardhur koha që Perëndimi t’ia bëjë të qartë Serbisë se politika e saj e jashtme minon sigurinë evropiane dhe thellon rivalitetet globale. Nëse nuk e bën këtë, Perëndimi do të mbajë përgjegjësinë e përbashkët përmes politikës së qetësimit (appeasement) për veprimet katastrofike të Serbisë kundër Kosovës dhe tërë rajonit”, tha profesori i Sutimdeve të Paqes dhe Konflikteve në Dublin, Gëzim Visoka.

Për ndikimin kinez dhe rus në Serbi ka folur edhe ish-ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ai i ka quajtur të dështuara përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për ta tërhequr Serbinë drejt Perëndimit, teksa i ka quajtur të paefektshme edhe masat eventuale të BE-së

“Unë mendoj se Serbia është qartazi e futur thellë në krahët e Rusisë dhe të Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre vjetëve për ta tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk kanë treguar ende ndonjë rezultat. Karotat janë më efektive se shkopinjtë, stimujt më të efektshëm se kërcënimet në diplomaci. Të dy këto kanë vendin e tyre, por mendoj se komuniteti ndërkombëtar do të bënte më mirë të fokusohej në stimuj ekonomikë, politikë dhe të sigurisë, sesa në sanksione”, tha Kosnett.

Pjesë e takimeve në Pekin do të jenë edhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, ka thënë se besimi i ndërsjellë midis Bashkimit Evropian dhe Kinës është “dëmtuar”. Sipas tij, qëllimi i vizitës është mbrojtja e strategjisë evropiane për “reduktimin e rrezikut nga Kina” dhe vendosja e themeleve për samitin BE-Kinë në fund të këtij viti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments