Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan bin Abdullah, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës të Shqipërisë, Igli Hasani.
Siç raporton Euronews, ministri saudit i ka kërkuar Hasanit që në sajë të rolit që ka Shqipëria si një anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, të punojë për të siguruar që Këshilli të përmbushë përgjegjësinë e tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke bërë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të operacioneve ushtarake dhe heqjen e rrethimit në Gaza.
Gjatë bisedës telefonike, të dyja palët diskutuan “zhvillimet në situatën në Gaza dhe rrethinat e saj, si dhe përpjekjet ndërkombëtare të bëra për adresimin e tyre, duke theksuar refuzimin e shënjestrimin e civilëve në çdo formë dhe nevojën që të gjitha palët të respektojnë të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Më 10 tetor, Shqipëria u zgjodh anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-26. Këtë Hasani e kishte përshkruar si një tjetër arritje e madhe e politikës së jashtme dhe diplomacisë shqiptare dhe si një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare.
“Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e Të Drejtave të Njeriut kudo dhe për të gjithë”, kishte shkruar Hasani.