Kërkesa e komunitetit shqiptar në veriun e Gjermanisë për t’u mësuar fëmijëve të tyre gjuhën amtare ka çuar në hapjen e programeve të dedikuara të mësimit të gjuhës shqipe në disa shkolla publike në Hamburg dhe Schlesëig Holstein dhe Bremen. Grupmosha të ndryshme fëmijësh, që kanë lindur në Gjermani apo kanë shkuar rishtaz atje me bashkimin familjar, mësojnë gjuhën, por edhe traditat dhe historinë tonë.
“Ne kemi arritur që deri tani të hapim 12 shkolla shqipe dhe kemi plane për të hapur dhe shkolla të tjera. Komuniteti, mësuesit, të gjithë e presin jashtëzakonisht mirë, por e presin mirë dhe autoritetet gjermane sepse në këtë mënyrë, edhe shkolla gjermane ka një kontroll mbi atë se çfarë mësohet në këto shkolla”. Mësues shqiptarë të kualifikuar nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia u angazhuan fillimisht në mënyre vullnetare, por tani pjesa më e madhe e tyre paguhen me kontrata të rregullta nga Ministria Gjermane e Arsimit, në kuadrin e një projekti pilot që për herë të parë mundëson mësimin e gjuhës së një komuniteti të huaj, në institucionet publike të arsimit gjerman.
Ndërsa shteti shqiptar ka dhënë mbështetjen për të siguruar tekstet shkollore të unifikuara të Shqipërisë dhe Kosovës. “Numri i nxënësve që ne kemi aty është gjithmonë në rritje, por ne kemi tre nxënës që unë nuk dua t’i përmend me emër, të cilët dy prej tyre janë nënshtetas grek, por janë shqiptarë të Çamërisë, të cilët jetojnë në Republikën e Shlesëig-Holstein dhe kemi dhe një nxënës, i cili është turk nga Stambolli, mirëpo i ati i tij më ka thënë se rrënjët e familjes së tyre janë shqiptare. Për ne është një gjë kryesore që të gjithë që e ndiejnë atdhedashurinë, janë të mirëpritur të vijnë në këto shkollat tona”, tha Kolë Gjoka.
Rruga më e lehtë drejt vendlindjes, shprehen mësuesit, është ajo e gjuhës. Një nismë sa e bukur dhe e vështirë, për të mos humbur rrënjet tona duke i dhënë pasardhësve tanë aftësinë ta njohin Shqipërinë edhe më shumë nëpërmjet gjuhës shpipe.