Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka realizuar takim zyrtar me kolegun e tij nga Arabia Saudite, Valet Muhamed Al-Samani. Në takim u nënshkrua Memorandum për bashkëpunim mes dy vendeve.
Siç informoi Ministria e Drejtësisë, u shkëmbyen përvoja rreth organizimit të sistemit të drejtësisë në RMV dhe Arabinë Saudite. Ministri Lloga e informoi kolegun e tij për gjendjen e drejtësisë në vendin tonë, duke theksuar përpjekjet për reforma, si dhe kushtet e këqija të burgjeve në vend. Duke diskutuar për sfidat aktuale, ministri informoi edhe për ndryshimet kushtetuese, si dhe për rrugëtimin euro-integrues të Maqedonisë së Veriut.
Ministri Al-Samani pasi falënderoi për mikpritjen, tregoi se nga Princi i Kurorës, Muhamed bin Salman, morën përsipër përmirësimin dhe forcimin e marrëdhënieve me të gjitha vendet, duke theksuar gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbështetje për proceset në drejtësi.
“U diskutua edhe për ndryshimet e fundit që ka kaluar gjyqësori në Arabinë Saudite, duke theksuar ngritjen e departamenteve të posaçme në çdo gjykatë për ndihmën juridike për qytetarët, ngritjen e nivelit të transparencës, kufizimin e proceseve në tre muaj për zgjidhjen e problemeve. Theks i veçantë gjatë takimit u vu në procesin e digjitalizimit dhe funksionimit elektronik në të gjithë sistemin e drejtësisë, i cili përveç efikasitetit të punës, rrit edhe transparencën, sepse palët do të kenë shikueshmëri në të gjitha hapat dhe fazat e proceseve gjyqësore” informoi Ministria.
Ministri i Drejtësisë i Arabisë Saudite e ftoi ministrin Krenar Lloga për një vizitë zyrtare dhe ritheksoi se ai personalisht dhe ministria që ai drejton do të jenë të hapur për bashkëpunim dhe mbështetje në tejkalimin e të gjitha sfidave.