-0.2 C
Tetovo
E shtunë, 23 Nëntor, 2024
BallinaLajmePortalb.mk / “Vrasje në Tetovë”: Fajtorët e vërtetë për djegien e 14...

Portalb.mk / “Vrasje në Tetovë”: Fajtorët e vërtetë për djegien e 14 personave nuk janë dënuar, korrupsion dhe keqpërdorim (Video)

linku

https://portalb.mk/vrasje-ne-tetove-korrupsion-keqperdorim-shkelje-ligjesh-dhe-shume-dyshime-irl-me-prova-te-reja-per-zjarrin-ne-spitalin-modular-video/

Dokumentari i  publikuar dje nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRL) në lidhje me zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku jetën e humbën 14 persona, në thelb edhe një herë tregon se fajtorët e vërtetë për shkaktimin e zjarrit nuk janë prapa grilave. Sipas informatave të zbuluara, veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale dhe atë ish ministri Venko Filipçe, Koço dhe Todor Angjushev nga Kompania “Brako” e cila ndërtoi modularin, Vanja Andonova, si dhe të tjerët të përfshirë në proces. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale, transmeton Portalb.mk.

Rikujtojmë që pati një proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, me dënimet e shqiptuara ishin me kusht. Të dënuarit Florim Besimi, Artan Etemi, Boban Vuçevski dhe Spitali i Tetovës u akuzuan për vepra të tjera penale të cilat lidheshin me sigurinë në spital si dhe mosveprimin në bazë të rekomandimeve mjekësore në kohë të pandemisë. Në lidhje me mos-thirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit në gjykim, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Më poshtë përcjellim gjetjet kryesore nga dokumentari i IRL-së për këtë rast:

Filluam ta ndjekim gjykimin në Tetovë, ajo që pamë aty ishte gjithçka përveç tl vërtetës për zjarrin.

Kështu fillon dokumentari i cili heton shkaqet e zjarrit ku jetën e humbën 14 persona.

Spitali modular në Tetovë u ndërtua nga kompania “Brako” e cila është e njohur si firma e profesor-doktor Koço Angjushev. Në vitin 2017 me ftesë të kryeministrit të atëhershëm Zoran ZaevAngjushev u bë zv.kryeministër për çështje ekonomike. Karriera e tij politike u ndoq me raste për korrupsion dhe tregti me ndikim në mjedisin jetësor. Në janar 2020 ai e la karrierën politike dhe iu kthye biznesit, ku pas tre muajsh ai dhe Venko Filipçe përsëri do të bashkëpunonin, për realizimin e objekteve modulare.

Gazetarët e IRL-së tregojnë se një burim anonim u dorëzoi dokumentet për tenderimin e spitaleve modulare por edhe të gjitha marrëveshjet, të gjithë korrespodencën, të gjithë dokumentet teknike, gjithçka lidhur me projektin.

Fillimisht paratë për spitalin e parë modular që u ndërtua ishin planifikuar nga Ministria për Vetëqeverisje Lokale. Kjo ministri në krye me Goran Milevskin ka pasur vërejtje ku ka alarmuar dhe ka konstatuar se komisioni përzgjedhës ka favorizuar ofertues të caktuar, midis atyre që janë përmendur ka qenë edhe Brako. Kjo ishte një nga arsyet që MVL anuloi projektin duke mos marrë përgjegjësi për projektin. Atëherë Qeveria ia mori ingerencat Milevskit dhe paratë shkuan në Ministrinë e Shëndetësisë të udhëhequr nga Venko Filipçe. Ai zhvilloi të njëjtin tender, në formë identike, me të njëjtin specifikim teknik dhe sërish u zgjodh firma Brako.

Kjo firmë nuk ka pasur përvojë në nderimin e spitaleve të mëdha modulare, ndërsa për të fituar një tender të tillë duhen referenca si dëshmi.

Dokumentet tregojnë se Brako nuk ka pasur nevojë për referencë të tillë sepse kjo nuk ka qenë procedurë tenderimi për ndërtimin e një objekti të përkohshëm – spital, siç ka paralajmëruar ministri Filipçe, por tender për prokurimin e mallrave. Pra, janë kërkuar veçmas dritare, dyer, dysheme, panele. Gjithçka ishe me copë. Me këtë janë anashkaluar të gjitha rregulloret dhe standardet ekzistuese sepse edhe specifikimi teknik nga MSH që ishte përgatitur për prokurim të mallrave u ka dhënë institucioneve alibi që të pretendonin se pasi në letër nuk janë regjistruar si objekte, ato nuk i nënshtrohen ligjit për ndërtime dhe ligjit për veprimtari shëndetësore.

Pse vendosën për një tender të tillë kur e dinin që objektet do të ishin spitale? Pse nuk u ngrit alarmi se tenderi nuk ishte kryer mirë pas anulimit të parë të procedurës?

Dokumentet nga burimet e IRL-së tregojnë se Ministria e Shëndetësisë dhe kontraktuesi kanë qenë në dijeni se objektet ishin ndërtuar në kushte nën-standarde.

Pas zjarrit në Tetovë, kontraktuesi kërkoi me shkrim nga MSH për më shumë para për të mundësuar forcimin e standardeve të sigurisë në objektet modulare që ishin në ndërtim e sipër, përkatësisht ambulancat në Shkup. Ndërkaq publikisht, Filipçe thoshte qëndrime të kundërta. Brako pretendonte se nuk ka pasur gabime gjatë ndërtimit të objektit.

Më pas do të paraqitet mbikëqyrja e re e sapo-futur e këtyre objekteve, e cila përfundon se me këtë specifikim teknik nuk mund të sigurohen as standarde minimale ligjore, ndër to edhe atë për rezistencën të materialeve ndërtuese ndaj zjarrit që duhet të zgjasë nga 1 deri në 2 orë. Në mbikëqyrje thuhet se duhet të bëhet specifikim i ri dhe në të të parashikohen materiale të tjera dhe për herë të parë të përfshihet elaborat për sigurinë nga zjarri, të bëhet projekt i ri me gjithçka që është e detyrueshme sipas ligjeve, gjë që nuk është bërë më parë.

Për këtë, ministri Venko Filipçe dhe kontraktuesi do të nënshkruajnë aneks marrëveshjeje me të cilën çmimi për ndërtimin e ambulancave modulare do të rritet për rreth 15%. Publiku nuk do ta dinte për këtë marrëveshje, sepse MSH ka fshehur aneksin nga Byroja për Furnizime Publike e cila është përgjegjëse për publikimin e të gjitha kontratave të institucioneve. Dhe kjo është kundër ligjit.

Problemi qendror i këtij rasti ishte në një dokument – specifikimi teknik për ndërtimin e objekteve modulare.

Personi që kishte nënshkruar specifikacionin teknik ishte arkitektja Vanja Andodova, e cila pa shpallje, duke marrë detyrën me kërkesë të ministrit Filipçe, në vitin 2028 iu bashkua MSH në detyrën e arkitektes. Sipas dokumenteve, Andonova përgatit specifikacionin teknik për objektet modulare për të cilat janë aktivizuar disa alarme mes institucioneve.  Andonova më pas kishte braktisur Ministrinë e Shëndetësisë për të punuar në Brako.

Kjo më pas hapi dyshime më të mëdha për procedurën e tenderimit.

Të gjithë punët tregonin se ka pasur lëshime dhe se MSh dhe Brako kanë pasur njohuri për këtë. Por në opinion u promovua tregim tjetër, se gjithçka ishte sipas ligjeve dhe standardeve të sigurisë dhe se kjo vetëm ishte aksident dhe se askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për të.

Kur doli aktakuza nuk mund të shmangej përshtypja se ajo bazohej në të njëjtat pohime.

Dokumentet tregonin se edhe ministria edhe kontraktuesi kanë qenë në dijeni se spitalet kanë qenë fuçi baruti dhe e kanë fshehur këtë.

Ishte e paqartë se si përfundoi hetimi i Prokurorisë Publike me aktakuzën e dy drejtorëve dhe mjekut dhe çfarë ndodh me hetimin e dytë nga Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Për hetimin e rastit u angazhuan pesë prokurorë. Më pas edhe në të njëjtën kohë hetim hapi edhe Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Gazetarët e IRL-së arritën të sigurojnë dokumentacion nga prokuroria si dhe ekspertizat, përfshirë edhe atë gjerman.

Arsyeja e parë për përhapjen e shpejtë të zjarrit është prania e një sasie të madhe oksigjeni në kombinim me poliuretanin ose pur-panelet nga të cilat është ndërtuar. Arsyeja e dytë është mungesa e barrierave kundër zjarrit që do të parandalonin përhapjen e mëtejshme të zjarrit pse të paktën ta vështirësonin atë, që mbi të gjitha është detyrim ligjor për tu instaluar sipas standardeve të sigurisë. Arsyeja e tretë është ndërtimi i hapur i ndërtesës nën çatinë ku gazi i dëmshëm mund të përzihet lehtësisht me oksigjenin dhe të përhapet kudo në kohë shumë të shpejtë.

Kjo tregon se vetë materialet me të cilat është ndërtuar spitali janë arsyeja pse u dogj deri në themel në kohë kaq të shkurtër.

Sipas ekspertizës së elektroinxhinierit – instalimi i rrymës elektrike në objektin modular nuk është bërë në përputhje me rregulloret për këtë punë dhe në mungesë të madhe të dokumenteve. Ajo çfarë kanë vënë re gazetarët e IRL-së nga kjo ekspertizë është se instalimi elektrik është instaluar nga Brako. Ku punonjësi i Brakos i cili ka bërë skemën e instalimeve elektrike – Nikolla Stojkovski ka punuar pa licencë nga Oda e Arkitektëve dhe inxhinierëve të certifikuar.

Në lidhje me të gjitha veprimet e bëra nga prokurorët ka shumë palogjikshmëri në aktakuzë dhe hapen shumë pyetje për mënyrën se si ky hetim përnjëherë është shndërruar nga një hetim për shkaqet e zjarrit në hetim për diçka krejtësisht tjetër. E tërë lënda ka rrethana tepër të çuditshme.

Ekspertiza e inxhinierit elektrik dhe ekspertiza gjermane tregojnë se kablloja ka marrë flakë për shkak të instalimit të papërshtatëshëm nga Brako dhe se spitali është djegur shumë shpejt për shkak të ndërtimit të papërshtatshëm dhe materialeve të papërshtatshme.

Veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët e vërtetë nga ndjekja penale.

Siç thonë, gjërat edhe zyrtarisht do të marrin rrjedhë të çuditshme kur pas marrjes së katër ekspertizave, me kërkesë të prokurorëve të Shkupit do të urdhërohet edhe një ekspertizë tjetër, këtë herë nga Fakulteti Elektroteknik, ku ekspertët dolën me përfundim se Brako ka respektuar të gjitha standardet në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo ekspertizë është kontradiktore me atë gjermane dhe atë të elektroinxhinierit, madje e njëjta do të përdoret edhe si justifikim për të mos kërkuar fajtorët mes klientëve dhe kontraktuesit të projektit.

Përshtypja ishte se edhe pas dy vitesh çështja nuk është prioritet për Prokurorinë, veprimi i tyre është i rëndësishëm sepse duhej t’i përgjigjet pyetjes nëse sistemi është i korruptuar. Dhe nëse është i korruptuar, a kanë vdekur 14 veta për këtë? Edhe pas hetimit të dytë të udhëhequr nga institucioni nën mbikëqyrjen e Ljubomir Joveskit, ishte e qartë se prokurori i shtetit ishte i kënaqur me këtë rezultat. Një hetim pasiv dhe një aktakuzë që nuk e vendos askund përgjegjësinë për zjarrin.

Përveç ish prokurores Lejla Kadriu, asnjë nga prokurorët erë të përfshirë në hetim nuk pranuan intervistë nga gazetarët e IRL-së.

Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, i cili mori detyrën pas Venko Filipçes kërkoi raport revizioni për objektet modulare për ambulanca. Vlerësimi i aneks marrëveshjes është se kjo marrëveshje është e paligjshme. Në bazë të këtij revizioni, Sali ndërpret kontratën me Brako-n për pjesën tjetër të ambulancave dhe refuzon të paguajë për tre objektet e ndërtuara. Brako ka ngritur padi kundër MSH për pagesë shtesë të mjeteve për tre ambulancat e ndërtuara. Këtë padi e trashëgoi edhe ministri i ri i Shëndetësisë – Fatmir Mexhiti. Në mbledhjen e qeverisë në korrik 2023 sipas propozimit të Fatmir Mexhitit u vendos që Brako të paguhet me marrëveshje, pa 15% shtesë. Paratë janë paguar dhe objektet janë vendosur në funksion.

Hulumtimi ka zgjatur 7 muaj ndërsa janë konsultuar 5455 faqe të dokumenteve. Dokumentacionin e detajuar e gjeni KËTU.

Dokumentarin e IRL-së mund ta shihni të plotë në videon më poshtë:

Pas këtij dokumentari të bërë publik dje, Portalb.mk kontaktoi Prokurorinë dhe i pyeti se a do të ngrenë padi tjetër për shkaqet e zjarrit në spitalin modular, për tu gjetur fajtorët e vërtetë për këtë zjarr që mori jetën e 14 personave. Nga ky institucion shkurt na njoftuan se nuk mund të thonë as po e as jo pasi ende zhvillohet procedurë hetimore për këtë rast nga Prokuroria për ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku për më tepër na thanë të shohim reagimin e tyre në lidhje me këtë dokumentar.

Prokuroria Publike dhe ekipi i prokurorëve publikë që kanë punuar në rastin e zjarrit në Spitalin Modular të Tetovës njoftuan se hedhin poshtë pretendimet në emisionin e Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese që i referohen rrjedhës së hetimit të këtij rasti.

Me qëllimin e dukshëm të diskreditimit të pabazë dhe pa ndonjë interes real për të paraqitur të vërtetën, emisioni kryen me vetëdije manipulim të rëndë informacioni. Pretendimet se ekspertiza e ekspertëve gjermanë nuk është paraqitur si provë në procedurë gjyqësore janë absolutisht të pavërteta”, thuhet mes tjerash në reagimin e Prokurorisë.

Nga atje theksuan se për gjithë këtë ngjarje, veçanërisht për tenderin për prokurimin e të gjitha spitaleve modulare, Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar një rast tjetër, i cili në mënyrë të pajustifikueshme është margjinalizuar me vetëdije në hulumtimin gazetaresk.

Në lidhje me dokumentarin për pagesën për objektet modulare reagoi Ministria e Shëndetësisë, mohuan si të pavërteta pretendimet e përhapura në rrjetet sociale se Ministria e Shëndetësisë ka paguar para për objektet modulare të Shsh Shkup

Pas publikimit të dokumentarit, kanë reaguar edhe disa familjarë të viktimave në modular, ata kanë theksuar se nuk ndihen të plotësuar derisa të zbardhet e gjithë ngjarja dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.

Më 8 shtator të vitit 2021 Maqedonia e Veriut u godit nga një nga tragjeditë më të mëdha, një zjarr i madh shpërtheu në Spitalin Modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me virusin Covid-19. Nga zjarri 14 persona humbën jetën në flakë. Gati se dy vjet më vonë drejtësi për jetët e humbura nuk ka. Deri më tani, askush nuk bart përgjegjësi për shkaqet e zjarrit. Ndonëse pati një proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit (ish drejtori mjekësori Spitalit të Tetovës dhe ai ekonomik, përgjegjësi i Kovid qendrës dhe Spitali si person jurisik) nuk u gjykuan për shkaqet e zjarrit, por për vepra tjera penale, megjithatë edhe për këtë dënimet e shqiptuara ishin me kusht. Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments