Ka reaguar ministri i Drejtësisë Krenar Lloga i cili thotë se Këshilli Gjyqësor ka 5 muaj që po e zvarritë procedurën dhe nuk po merr masa për përcaktimin e përgjegjësisë dhe sanksionimin e UD Kryetarit të Gjykatës Themelore Kumanovë për keqpërdorimet e konstatuara të sistemit AKMIS. Sipas Llogës edhe përkundër vërejtjeve dhe shkresave për parregullsitë e konstatuara në punën e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Këshilli Gjyqësor është duke zvarritur dhe nuk vepron sipas Raportit, i cili është përgatitur nga ana e tyre dhe i cili është publikuar publikisht në ueb faqen e Këshillit. Ministri i drejtësisë në reagimin e tij ka sqaruar se, Këshilli Gjyqësor më 1 shkurt të këtij viti ka bërë një vizitë pune në Gjykatën Themelore të Kumanovës dhe ka përgatitur Raport në të cilin janë konstatuar një sërë shkeljesh të reputacionit të funksionit të gjykatësit si dhe keqpërdorimi me sistemin AKMIS, gjë që ndikon shumë në marrëdhëniet dhe punën e gjykatës.