Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane, bëri të ditur Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit.
Lidhur me këtë, shefi i Presidencës, Blerim Vela, tha se SHBA-ja po i mban përgjegjës ata që e çojnë më tej agjendën e tyre politik në dëm të paqes në Ballkanin Perëndimor.
“Sot, Shtetet e Bashkuara po i mbajnë përgjegjës ata që e çojnë më tej agjendën e tyre politike në dëm të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdojnë t’i çojnë përpara aktivitetet keqdashëse të Rusisë në Serbi dhe rajon”, ka shkruar.
Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.