Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak ka deklaruar në Parlamentin britanik se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic duhet të çtensionojnë situatën në veri të Kosovës.
I pyetur nga deputetja britanike, Alicia Kearns nëse do të angazhohet për zgjerimin e mandatit të KFOR-it në Kosovë, Sunak vuri në dukje se se ai i dënon sulmet e paprovokuara të protestuesve serbë ndaj forcave të KFOR-it. Ndërsa kërkoi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç të ulin tensionet dhe të parandalojnë dhunën.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, të cilën ju e njihni dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionin dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme”, tha Rishi Sunak.
Sunak shpjegoi gjithashtu se palët duhet t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Pikëpamja jonë është se duhet të gjejmë një rrugë kthimi drejt dialogut të lehtësuar nga BE. Në lidhje me EUFOR-in, ne e shohim EUFOR-in si jetik për paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë. Mospjesëmarrja jonë në të nuk pasqyron rëndësinë e operacionit për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe ne po përpiqemi të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin me misionin”, tha Sunak.
/rtsh.al/