10.8 C
Tetovo
E enjte, 28 Nëntor, 2024
BallinaLajmeDy orë takim, Lajçak dhe Escobar nuk arrijnë dakordim me Kurtin për...

Dy orë takim, Lajçak dhe Escobar nuk arrijnë dakordim me Kurtin për zgjedhjet në veri

Takimi mes kryeministrit Albin Kurti me emisarët Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar ka përfunduar pa ndonjë rezultat konkret.

Siç tha Lajçak pas takimit, ata ia prezantuan kryeministrit Kurti propozimin e komunitetit ndërkombëtar me tri pika kryesore, mirëpo tha se nuk u pajtuan për zgjedhjet, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ne prezantuam propozimin në kuadër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri pika. I pari de-eskalimi, i dyti zgjedhjet e reja të shpejta dhe i treti kthimi te dialogu. Patëm një diskutim të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë me kryeministrin për këto pika”.

“Nëse do të kishim arritur një dakordim [për zgjedhjet], do e thoja”, shtoi ai.

Sa i përket kryetarëve të komunave veriore, Lajçak tha se janë legal, por s’kanë legjitimitet dhe përfaqësim.

“Legaliteti nuk nënkupton përfaqësim dhe legjitimitet dhe ky është problemi që e kemi në veri. Prandaj është në interes të Kosovës, të gjithëkujt, që të kemi kryetarë që kanë legalitet por edhe legjitimitet dhe përfaqësim”.

Ndërkaq, emisari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, theksoi se komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar më shumë se kurrë.

“S’kam parë ndonjëherë kaq shumë unitet në komunitetin trans-atlantik. SHBA, Bashkimi Evropian, NATO, dhe thuajse çdo mik i Kosovës ka bërë të njëjtën kërkesë. Kështu besojmë që do të dëgjohemi”.

Kur u pyet se a ka pranuar Kurti propozimin e tyre, Escobar tha se “jemi në fillim të misionit tonë”. /Reporteri.net/.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments