Në një intervistë për NBCNews të premten, Kurti ka thënë se para se të shkohet në zgjedhje, ekstremistët e dhunshëm që u paraqitën në veri duhet të përballen me ligjin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar zgjedhje të hershme në veri, por sipas tij, fillimisht banditët që shkaktuan dhunë gjatë ditëve të fundit në komunat veriore duhet të kthehen në Serbi, ose të arrestohen në Kosovë.
Kurti ka mohuar pretendimet e serbëve se Policia e Kosovës ka përdorur dhunë gjatë trazirave të fundit në veri.
“Nuk ka evidencë që Policia e Kosovës përdori dhunë. Policia e Kosovës është më profesionalja në Ballkan, ka qenë e trajnuar nga SHBA-ja, UK, dhe BE-ja. Në anën tjetër, kemi banditët që janë aty për destabilizuar Kosovën”, ka thënë Kurti, i cili ka shtuar se Rusia nuk e do suksesin e Kosovës për shkak se është sukses i intervenimit të NATO-s dhe i zhvillimit demokratik.