7 C
Tetovo
E premte, 29 Nëntor, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / PËRVJETORI I DËSHTIMIT POLITIK TË SHQIPTARËVE

Abdulla Mehmeti / PËRVJETORI I DËSHTIMIT POLITIK TË SHQIPTARËVE

Ende ka institucione të rëndësishme të shtetit në Maqedoninë Veriore, ku shqiptarët jo vetëm që nuk janë të përfaqësuar në mënyrë të barabartë, por ku FARE NUK KANË QASJE!

Me përfshirjen e Marrëveshjes kornizë të Ohrit (2001) në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore (janar 2019) është betonuar përkohësisht statusi i PAKICËS KOMBËTARE për popullin shqiptar autokton në Maqedoni.

Çfarëdo arme (politike) në duart e politikanëve të aftë mund të mirëpërdoret dhe të nxjerr efekte të dobishme, ndërsa edhe arma më efikase në duart e injorantëve mund të keqpërdoret dhe të shërbejë edhe për vetëvrasje!

(13.VIII.2019)

(Nga fillimi i dialogut ndëretnik në Maqedoni më 1996, përmes Marrëveshjes së Ohrit e deri më sot)

Abdulla Mehmeti

Më 17 dhe 18 dhjetor 1996, në Shkup[1] u organizua një debat dyditor, me dyer të mbyllura, mes përfaqësuesve të lartë politikë nga pala maqedonase dhe pala shqiptare, në nivel të Qeverisë së Maqedonisë, me iniciativë të komesarit të lartë të OSBE-së për pakicat kombëtare, Maks Van der Stul (Max Van der Stoel), në të cilin morrën pjesë tre ministra të atëhershëm në Qeverinë e Maqedonisë dhe partneri i tyre i koalicionit qeveritar nga radhët e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, Partia për Prosperitet Demokratik, i cili takim nga mediat zyrtare në gjuhën maqedonase, në atë kohë u cilësua si marrëveshje e fshehtë shqiptare-maqedonase në dëm të popullit maqedonas dhe të Republikës së Maqedonisë.

Komesari i lartë i OSBE-së, Maks Van der Shtul, këtë takim e organizoi në bashkëpunim me Fondacionin holandez për bashkëpunim ndërnacional dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, me temë: ,,Ndërtimi i marrëdhënieve të harmonishme në Maqedoni – Roli dhe rëndësia e vetadministrimit lokal në shoqëritë shumetnike dhe arsimimi i pjesëtarëve të kombësive në institucionet arsimore publike në Maqedoni”.

Hapja e dialogut ndëretnik në Shkup më 1996, bazë për Marrëveshjen e Ohrit

Organizatori i këtyre bisedimeve, komesari i lartë Maks Van der Shtul, pjesëmarrësit i zgjodhi në bazë të parimit të paritetit, nivelit dhe numrit të barabartë të pjesëmarrësve; në njërën anë morrën pjesë ministrat në Qeverinë e Maqedonisë, nga pala maqedonase: ministri i Punëve të Jashtme, Lubomir Fërçkovski, ministri i Drejtësisë, Vllado Popovski dhe ministresha e Arsimit dhe Kulturës Fizike, Sofija Todorova; kurse në anën tjetër, përfaqësuesit e palës shqiptare: kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik (PPD), Abdurrahman Haliti, përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Vullnet Palloshi dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Maqedoni, Ali Aliu. Mes dy bashkëbiseduesve kryesorë të këtij takimi, Lubomir Fërçkovski dhe Abdurrahman Haliti, ishte e pranishme edhe profesoresha Mirjana Najçevska nga Instituti i studimeve sociologjike dhe politike-juridike në Shkup.

Pjesëmarrjen e tyre në këto bisedime e refuzuan dy partitë tjera politike të shqiptarëve në Maqedoni, Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve në Maqedoni dhe Partia Demokratike Popullore, të cilat më vonë u shkrinë në një parti të vetme, Partia Demokratike Shqiptare. Partitë politike opozitare maqedonase, si partia OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE) dhe Partia Demokratike Maqedonase nuk u ftuan të marrin pjesë në këto bisedime, duke pasur parasysh orientimin dhe qasjen e tyre shoviniste ndaj të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.

Nevoja për ndriçimin e plotë të bisedimeve në Shkup dhe rolin e faktorit ndërkombëtar

Se çka konkretisht u bisedua në këtë takim, pa pjesëmarrjen e mediave dhe larg syve të opinionit, mbetet të hulumtohet dhe bëhet publike në të ardhmen, nga dëshmitë e vetë pjesëmarrësve, si dhe nga dokumentet zyrtare të OSBE-së dhe shënimet personale të ish komisarit të lartë, Maks Van der Shtul. Vetëm një gjë është e sigurt, që këto bisedime nga mediat zyrtare u cilësuan si përpjekje e faktorit ndërkombëtar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, që sipas tyre ,,e cënojnë sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Maqedonisë”.

Në këtë fushatë kundër dialogut konstruktiv ndëretnik, në nivel të partnerëve në Qeverinë e atëhershme të Maqedonisë, mes palës shqiptare dhe palës maqedonase, me ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar, kryesisht u dalluan, e përditshmja në gjuhën maqedonase ,,Nova Makedonija” (Maqedonia e re) dhe Radiotelevizioni shtetëror i Maqedonisë (RTVM), sidomos programi në gjuhën maqedonase.

Vazhdimësia e dialogut ndëretnik për barazi të plotë mes popujve shumicë në Maqedoni

Dy dekada pas këtyre bisedimeve në nivel të lartë shtetëror, edhe pse nga vetë pjesëmarrësit u cilësuan si takim joformal dhe ,,privat”, sipas deklaratës së vetë inicuesit dhe organizatorit të tyre, komesarit të lartë Maks Van der Shtul, sa për ta heshtur propagandën e furishme të mediave, ky takim mund të cilësohet si nismë e dialogut ndëretnik në Maqedoni, me interes për të ardhmen e këtij shteti, i cili vazhdoi edhe më vonë, por në rrethana krejtësisht të tjera, me bisedimet për ndërprerjen e konfliktit të aramatosur në vitin 2001, nga të cilat, gati me të njëjtët pjesëmarrës dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, kësaj radhe në vend të OSBE-së dhe komesarit të lartë të saj, nga faktori ndërkombëtar u caktuan dy lehtësues të këtyre bisedimeve, diplomati amerikan Xhejms Perdju dhe përfaqësuesit të BE, Fransua Leotar, pas të cilave u arrit Marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila u nënshkrua në Shkup, më 13 gusht 2001.

Këtyre bisedimeve iu parapriu një plan i përgatitur nga diplomati amerikan, Robert Frovik, i njohur si ,,Plani Frovik”, mbi bazën e të cilit u nënshkrua edhe një deklaratë mes përfaqësuesve të dy partive më të mëdha politike parlamentare të shqiptarëve në Maqedoni, Imer Imerit (PPD), Arbën Xhaferit (PDSH) me përfaqësuesin politik të kryengritësve shqptarë, Ali Ahmeti, e njohur si Deklarata e Prizrenit, e cila u nënshkrua në Prizren, më 22 maj 2001. [2]

Hapja e dialogut ndëretnik në Maqedoni dhe kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë në shtet

Nga bisedimet e 17-18 dhjetorit 1996, në Shkup, mund të përfundojmë se faktori ndërkombëtar vazhdimisht ka qenë i interesuar dhe aktiv, duke nxitur debat të hapur për krijimin e marrëdhënieve të mira e të harmonishme mes dy popujve shumicë në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve, sidomos për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe hapjen e perspektivave evropiane të Maqedonisë.

Për ta kuptuar temën bosht dhe seriozitetin e këtyre bisedimeve, do t’i veçojmë me këtë rast kërkesat e parashtruara me shkrim nga përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Vullnet Palloshi, sipas dokumentit autentik, ku mes tjerash thuhet:

Kërkesat e shqiptarëve etnikë në Maqedoni:

Shqiptarët të jenë popull konstituiv, shtetformues në Maqedoni; 
– në mënyrë të barabartë ta përdorin gjuhën e tyre dhe simbolet kombëtare në tërë territorin e shtetit ku jetojnë;
– në mënyrë adekuate, sipas përqindjes në nivel të shtetit, të përfshihen në administratën shtetërore, ndërmarrjet publike, elektroekonomi, telekomunikacion dhe Postat e Maqedonisë, ndërmarrjet për komunikacion dhe hekurudha, përfaqësitë diplomatike konsullare etj.;
– në përbërjen e policisë të përfaqësohen në mënyrë adekuate sipas përqindjes së tyre në komuna;
– në struktuarën udhëheqëse dhe komanduese të ushtrisë të përfshihen në mënyrë adekuate sipas numrit të ushtarëve me përkatësi etnike shqiptare;
– në institucionet dhe organet gjyqësore numri i të punësuarve të jetë adekuat sipas përqindjes së popullsisë në nivel të komunave; 
– të themelohen institucione dhe organe informative, ditore, javore dhe mujore, si dhe revista profesionale; 
– në kuadër të sistemit arsimor të garantohet përfshirja e plotë e nxënësve shqiptarë që e mbarojnë shkollën fillore, në shkollat e mesme, si për nxënësit me përkatësi etnike maqedonase; [3]
– në nivel të arsimit të lartë, të legalizohet Universiteti i Tetovës dhe të zgjidhen problemet tjera të hapura në sferën e arsimit të lartë, të cilat kërkojnë qasje serioze dhe adekuate për zgjidhjen e tyre; etj.

Në lidhje me kërkesat e parashtruara më lartë, mes tjerash në dokumentin e paraqitur thuhet se: ,,rol të veçantë për realizimin e këtyre kërkesave gjithsesi ka faktori kohë dhe mjetet e nevojshme financiare, megjithatë nga diku duhet të fillohet, dhe tani është momenti për zgjidhen e tyre përmes pushtetit lokal, edhe atë, hap pas hapi”. [4]

Përfundime

1. Nga të dhënat e paraqitura mund të përfundojmë se, në Maqedoni dhe në rajonet tjera me nivel të lartë të rrezikut për shpërthimin e konflikteve ndëretnike, prishjen e paqes dhe cenimin e sigurisë ndërkombëtare, rol të veçantë ka luajtur diplomacia preventive, sidomos angazhimi i diplomacisë amerikane përkrah asaj të BE-së. Kjo dëshmohet me angazhimin e tyre të vazhdueshëm që nga viti 1992, kur edhe filloi angazhimi i posaçëm i diplomatit amerikan me përvojë ndërkombëtare, ambasadorit Rober Frovik, i cili pas rikthimit të tij në Maqedoni edhe gjatë vitit 2001, ku ka qenë i angazhuar me detyrë që nga viti 1992, i cili shënoi rezultate të lakmueshme në rikthimin e paqes, ndërprerjen e konfliktit dhe krijimin e mirëbesimit mes popujve në Maqedoni.

2. Në bazë të përvojave të Maqedonisë, shihet qartë se diplomacia preventive ka luajtur rol të veçantë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në këtë shtet dhe në rajonin më të gjerë, duke qenë vazhdimisht e përkushtuar në ndërtimin e shoqërive demokratike, ruajtjen e stabilitetit të shteteve dhe hapjen e prespektivave të reja evropiane për shtetet e rajonit të Evropës Juglindore.

3. Nga bisedimet dypalëshe, mes shqiptarëve dhe maqedonasve, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, të zhvilluara disaherë, që nga viti 1992, 1996, 2001, e deri më sot, për çështje të përgjithshme dhe të veçanta në lidhje me të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoni, të cilat burimin e kanë nga organizimi i Referendumit për pavarësinë e Maqedonisë më 1991, të cilin e bojkotuan shqiptarët për shkaqe të njohura dhe disa muaj më vonë e organizuan Referendumin e tyre për Autonomi politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoni, sidomos pas sjelljes së Kushtetutës së Maqedonisë së pavarur më 1991, me të cilën u suprimua statusi i mëparshëm shtetformues i shqiptarëve, për t’u reduktuar në nivel të pakicës kombëtare, me çka edhe gjeneroi krizë të vazhdueshme politike në vend, me tendenca të shpërthimit të konfliktit të hapur, siç edhe ndodhi dhjetë vjet më vonë, më 2001, e cila e nxiti disa herë faktorin ndërkombëtar të ndërhyjë për qetësimin e situatës dhe zgjidhjen e problemeve të krijuara.

4. Nga bisedimet e lartëpërmendura me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, vërehet sidomos rëndësia e pushtetit lokal në avancimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni, të shtypur dhe diskriminuar në nivel qendror të pushtetit, ku me shumë vështirësi mund t’i realizojnë të drejtat e veta, edhe kur ato janë të garantuara me Kushtetutë, ligje dhe përmes marrëveshjeve politike, siç është rasti me mosimplementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila pati edhe garanci ndërkombëtare, nga foktorë të rëndësishëm, siç janë SHBA dhe BE.

5. Nga rezultatet e arritura përmes dialogut ndëretnik në Maqedoni, vazhdimisht me ndihmën dhe ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, mund të konstatojmë se ky dialog nuk ka përfunduar ende, edhe përkundër përpjekjeve të shumëta deri më sot, dhe nuk do të përfundojë derisa popullit shqiptar në Maqedoni, i cili është autokton në trojet e veta etnike dhe përbën shumicë të konsiderueshme të popullisë në këtë shtet, t’i sigurohet statusi i popullit shtetformues dhe barazia e plotë me popullin maqedonas.

(13 gusht 2017)

Referenca dhe shënime plotësuese

[1] Bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve të harmonishme mes dy popujve shumicë në Maqedoni, shqiptarëve dhe maqedonasve, me ndërmjetësim të OSBE-së, u zhvilluan në hapësirat e Hotelit ,,Kontinental” në Shkup, më 17 dhe 18 dhjetor 1996. 
[2] Sipas Informatorit ditor nr. 2935 të Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) në Prishtinë, të datës 25 maj 2001, mes tjerash thuhet: ,,Agjencitë e huaja të lajmeve kanë njoftuar se takimi i liderëve të dy partive politike shqiptare, të PDSH-së dhe PPD-së, Arbën Xhaferi dhe Ymer Ymeri me përfaqësuesin politik të UÇK-së Ali Ahmeti, në Prizren është mbajtur me iniciativën e të dërguarit të posaçëm të OSBE-së për Ballkanin, amerikanit Robert Frovik, i cili ka përvojë të gjatë në
Ballkan.” 
[3] Deri në vitin 1996 përfshirja e nxënësev shqiptarë në shkollat e emsme të vendit ka qenë afër 36%, në krahasim me nxënësit maqedonas, të përfshirë afër 96* në shkollat e mesme në nivel të shtetit. 
[4] Dokumenti me kërkesat e palës shqiptare, i paraqitur nga përpërfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Vullnet Palloshi, f.7, Shkup, 17-18 dhjetor 1996.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments