Këshilli Bashkiak i Dearbornit, në shtetin amerikan të Miçiganit, ka njoftuar se do të shpallë një ditë jo pune për punonjësit e bashkisë dhe do të mbyllë të gjitha zyrat e tij për Ramazan dhe Fiter Bajram, duke u bërë komuna e parë në SHBA për t’u dhënë punonjësve të saj një pushim zyrtar, pushim gjatë festave myslimane.
Këshilli i Qytetit të Dearbornit organizoi edhe Festivalin e Ramazanit, i cili ofron aktivitete të shumta në të cilat mund të marrin pjesë myslimanë, agjërues dhe banorë të tjerë të këtij qyteti. Të tilla festime dhe takime u cilësuan nga mediat si “historike” dhe të parat e këtij lloji në vend.
Sipas gazetës amerikane Detroit Free Press, kjo është hera e parë që Këshilli i Qytetit të Dearbornit ka ndihmuar në organizimin dhe mbështetjen e ngjarjeve gjatë Ramazanit dhe Fitër Bajramit. Popullsia e Dearbornit tani është më shumë se 47 për qind arabo-amerikanë, shumica e të cilëve janë myslimanë.
Merita për organizimin e ngjarjeve të tilla të paprecedentë i shkon kryebashkiakut Abdullah Hammoud, i cili mori detyrën vitin e kaluar si kryebashkiaku i parë arabo-amerikan dhe i pari mysliman i Dearbornit, i cili është shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha arabe dhe myslimane në SHBA.
Sipas raportimeve të mediave, Këshilli i Qytetit të Dearbornit njoftoi në një deklaratë të mëparshme për shtyp se do të mbyllë zyrat e tij për Fitër Bajramin, të cilin myslimanët festojnë të premten, më 21 prill. Përveç zyrës së Këshillit Bashkiak, do të mbyllen edhe Biblioteka Publike e Qytetit dhe Gjykata e Rrethit. Kjo do të jetë hera e parë që shërbimet komunale mbyllen me rastin e Bajramit.
Kryetari i bashkisë u propozoi anëtarëve të këshillit të tij mbylljen e zyrës së Këshillit Bashkiak me rastin e festës së Bajramit dhe këshilli e miratoi. Më parë për Bajram ishin mbyllur vetëm disa institucione arsimore.
Nën kujdesin e Abdullah Hammoud, Këshilli Bashkiak njoftoi mbajtjen e një manifestimi festiv të shtunën, më 22 prill, me rastin e Fitër Bajramit, gjatë të cilit do të ketë mëngjes me kryetarin e komunës, lojëra të organizuara dhe aktivitete të ndryshme.