Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq tha se Mali i Zi dëshiron që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje, dhe u zotua se vendi që ai udhëheq do ta mbështesin procesin e dialogut.
“Si një komb që dëshiron të dëshmojë se vendet tona fqinje arrijnë një marrëveshje të kënaqshme, ne jemi të përgatitur të kontribuojmë dhe mbështesim procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, theksoi Abazoviq.
I pyetur për mënyrat specifike në të cilat vendi i tij mund të kontribuojë në procesin Serbi-Kosovë të normalizimit të marrëdhënieve, Abazoviq tha se “Mali i Zi luan një rol pajtues” në rajon. “Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet tona fqinje dhe jemi të etur për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundemi, duke përfshirë mbështetjen logjistike,” pohoi ai për The Pavlovic Today, përcjell portali rtv21.tv.
Duke iu referuar takimeve që Abazoviq pati me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së , Gabriel Escobar dhe me Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Abazoviq zbuloj një zhvillim të ri që doli nga bisedat e tij me ta .” Personalisht, do të doja të zgjeroja ofertën time, nëse ka ndonjë raund të ri bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i pritur në Mal të Zi”, tregoi Abazoviq.
Abazoviq po ashtu shprehu përkrahje për planin evropian.
“Ne nuk jemi pjesë e dialogut, por personalisht besoj se propozimi evropian paraqet një zgjidhje të mirë që është fitimprurëse edhe për Serbinë edhe për Kosovën”, ka thënë ai. “Kjo është rruga që rajoni duhet të ndjekë. Rruga e normalizimit është ajo e duhura për rajonin si hap i parë dhe në fund, pasi të plotësohen të gjitha kriteret, anëtarësimi në Bashkimin Evropian si synimi final për të gjithë rajonin”, ripohoi kryeministri.