Në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me ShBA–Karta e Adriatikut (A5), në Shkup, u zhvillua takimi i parë i përbashkët i drejtorëve politikë dhe të mbrojtjes nga ministritë e punëve të jashtme dhe ministritë e mbrojtjes të vendeve anëtare dhe vëzhguesve të Kartës.
Kryesimi ynë përkon me 20-vjetorin e themelimit të kësaj iniciative, ku në takim u përshëndetën arritjet e deritanishme të A5 të reflektuara në anëtarësimin përkatës të katër vendeve të Kartës në Aleancën e NATO-s. Prandaj, në fokus të bisedimeve në takim ishin mënyrat e rivitalizimit dhe përshtatjes së iniciativës me realitetin e ri të sigurisë dhe dinamikën aktuale rajonale. Qëllimi është të forcohet roli politik i Kartës dhe të krijohen mekanizma të rinj për adresimin përkatës të sfidave aktuale të sigurisë në rajon.
Në të njëjtën kohë, në takim u diskutua edhe për pasojat e agresionit ushtarak rus në Ukrainë ndaj rajonit, me theks të veçantë në kërcënimet kibernetike dhe hibride, cenueshmërinë e infrastrukturës kritike dhe ballafaqimin me dezinformatat. U shqyrtuan mënyrat për të forcuar rezistencën përmes veprimit dhe bashkëpunimit të përbashkët.
Gjithashtu, është miratuar edhe Plani i Veprimit i Kryesimit të Maqedonisë së Veriut, ShBA-Karta e Adriatikut në vitin aktual. A5 është një forum unik bashkëpunimi, i cili përveç vendeve të rajonit, në radhët e tij ka edhe ShBA-në si partner strategjik. Më konkretisht, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë anëtarë të Kartës, ndërsa Serbia, Sllovenia dhe Kosova kanë statusin e vendeve vëzhguese. E themeluar në vitin 2003, kjo organizatë ka gjeneruar siguri dhe stabilitet në këtë pjesë të Europës për dy dekada.