Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Këto deklarata kryeministri Kurti i bëri sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim kryeministri Kurti ka theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian.
Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës.
“Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin kryeministrisë.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.