Nuk kam pasqyrë në individë, të cilët mund të jenë qëllimi i sanksioneve, deklaori ambasadori i Bashkimit Evropian në vend Dejvid Gir në pyetjen, nëse Brukseli është i njoftuar për personat të ndërlidhur me korrupsionin e lartë, pasi që ambasadorja amerikane Anxhela Ageler kumti se një nga dy personat do të jenë në listën e zezë të SHBA-së.
Euroambasadori theksoi se kur është në pyetje korupsioni, nuk ka tolerancë dhe nuk punohet për identifikimin e individëve, por për ndryshimin e sistemit.
“Çështja e korrupsionit është një çështje shumë e rëndësishme që shkon në thelb të procesit të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që ne e kemi përfshirë në bazat. E shqyrtojmë luftën kundër korrupsionit dhe përpiqemi ta luftojmë atë në çdo fazë të të gjithë procesit. Këtu nuk bëhet fjalë për identifikimin e individëve por për ndryshimin e sistemit në mënyrë që institucionet të luftojnë, të përballen me korrupsionin dhe t’i bëjnë të gjithë të kuptojnë se nuk ka tolerancë për korrupsionin. Është një proces afatgjatë në të cilin ne jemi të përfshirë dhe kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur atje. Qeveria ka rolin drejtues, por ka edhe të tjerë, si shoqëria civile, bizneset dhe partitë politike. Por jo, nuk kam njohuri për individët që mund të ishin apo nuk mund të ishin cak i sanksioneve”, tha Gir, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetarëve në konferencën për shtyp pas fjalimeve zyrtare në Qeveri me rastin e mbështetjes buxhetore prej 80 milionë euro nga BE-ja për t’u përballiur me krizën energjetike.