Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT) kanë dalë sonte në terren për të kontrolluar nëse po respektohet vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës.
Drejtori i IShT-së, Goran Trajkovski, tha se do të ketë bukë sepse është e papranueshme që nuk ka një produkt të tillë bazë.
“Është e papranueshme që një produkt bazë të mos jetë në dispozicion të qytetarëve! Prandaj apeloj që të respektohet Vendimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës dhe qytetarët të jenë pa merak sepse buka që mbulohet me Vendim do të jetë në dispozicion. Edhe sonte inspektorët janë në terren dhe janë duke bërë kontrolle në bazë të Vendimit dhe do të vazhdojnë më tej. Askush nuk do të kursehet nga ligji dhe do të sanksionohet pa selektivitet! Kriza ekonomike duhet të jetë tregues solidariteti, jo abuzimi dhe përfitimi. Shembull për këtë janë prodhuesit të cilët sot nuk u bashkuan në ndalimin e shpërndarjes së bukës së përfshirë me Vendimin dhe i furnizuan qytetarët pa ndërprerje”, tha sonte Trajkovski.